Theo Hernandez ka barazuar Paolo Maldinin si mbrojtësi i kuqezinjve me më shumë gola. Francezi arriti 29 gola për Milanin kundër Lecce. “Nuk e dija. Jam i lumtur që kam shënuar kaq shumë gola me këtë klub dhe shpresoj të shënoj më shumë”, – tha ai për “Sky”.

Më tej, duke analizuar ndeshjen, Theo shtoi: “Jam i kënaqur me golin e Moratës, ai është një lojtar që na ndihmon shumë. Kryesimi i renditjes? Është bukur, por duhet të ruajmë këtë ritëm. Në ndeshjet e para nuk ishim si duhet, tani po punojmë mirë. Kemi filluar të luajmë mirë, sonte kemi luajtur një ndeshje të shkëlqyer, çka është gjëja më e rëndësishme”.

Goli i shënuar kundër Lecce i lejoi Theo Hernandez të bashkohej me të madhin Paolo Maldini në renditjen e mbrojtësve më “pjellorë” të Milanit në Serie A. Të dy bashkohen në kuotën e 29 golave, por Maldini e bëri këtë në 647 ndeshje, ndërsa Hernandezit (i cili është padyshim një lojtar më sulmues) iu nevojitën vetëm 168 ndeshje.

Nëse shikoni renditjen e mbrojtësve më “pjellorë” në historinë e klubit kuqezi, në të gjitha garat, Aldo Maldera mbetet në vendin e parë. Një mbrojtës i mrekullueshëm i Milanit nga fillimi i viteve ’70 dhe ’80, ai shënoi rreth 40 gola (27 në Serie A) në 314 ndeshje. Maldini ka arritur në total 33 gola në 902 ndeshje, ndërsa Theo Hernandez tashmë ka arritur në 31 gola në të gjitha garat./telesport/