Mbaron këtu, kjo është pothuajse e sigurt. Tani mbetet vetëm të kuptohet se si mund të menaxhohet një marrëdhënie e copëtuar në atë që mbetet nga sezoni. Theo Hernandez dhe Milani tashmë janë një histori për të cilën duhet folur në kohën e shkuar, një lidhje që përfundoi keq në fund të një sezoni që, të paktën, mund të quhet katastrofik.
Dhe në fund të fundit, a nuk e kishte shitur Milani tashmë në janar? Ndoshta kjo ndjesi ishte e pranishme në mbrëmjen e çmendur të Theo-s kundër Feyenoordit: ndjenja e të qenit i braktisur nga klubi, me një negociatë për rinovimin që ka ngecur, një gjobë në horizont për kartonin e kuq katastrofik, që kushtoi eliminimin nga Champions League, shiriti i kapitenit që kaloi në një tjetër krah dhe ndoshta shumë të tjera që nuk dihen ende.
Fakti është që në qershor, me kontratën që skadon më 2026, francezi do të dalë në merkato. Që kur u largua Stefano Pioli, ai nuk ka qenë më i njëjti lojtar. Dhe Milani, që ndoshta kishte nevojë të bënte para me shitjen e një ylli, tani pret vetëm ofertën e duhur. Po, por sa? Ofertat prej 50 milionë eurosh, që u hodhën mbi tavolinë në janar (me 7 milionë rrogë për lojtarin) duken të vështira për t’u përsëritur në këtë klimë. Pra, ndoshta 45? 40? Shumë pak nëse mendohet sa vlente Theo një vit e gjysmë më parë.
E vërteta është se edhe klubi, edhe trajneri, të cilët e mbrojtën pas barazimit me Feyenoordin, nuk e durojnë më. Përveç gabimeve teknike, që këtë sezon nuk kanë qenë të pakta, krisja është rritur javë pas jave, që nga ai “cooling break” famëkeq në Romë me Fonseca në stol, duke kaluar te kartoni i kuq në Firence dhe arritur deri te katastrofa e mbrëmshme.
Në mes ka pasur zëra për një jetë private “jo të përkryer” dhe mungesë përkushtimi, çka është bërë tipari kryesor i sezonit të tij. Pasi u largua Fonseca, që dukej sikur ishte problemi kryesor, fotot e tij duke buzëqeshur krijuan përshtypjen e një rilindjeje. Por edhe me Conceição, marrëdhënia është ajo që është.
Ose ndoshta ai thjesht e ka mendjen diku tjetër, një “diku tjetër” që, sido që të jetë, do të jetë destinacioni i tij i ardhshëm. Theo Hernandez u hodh në “greminë” kundër Feyenoordit. Gjyqtari polak Marciniak i tregoi rrugën…; jashtë fushës, jashtë Milanit./telesport/