Eliminimi disi i papritur nga Champions League ndihet ende te Milan. Mbrojtësi Matteo Gabbia ka folur për atë që ka ndodhur në dhomat e zhveshjes te kuqezinjtë një ditë pas eliminimit, duke u përqendruar te Theo Herhandez.
Mbrojtësi francez mori karton të kuq dhe dalja e tij nga fusha ndikoi shumë te rezultati. “Një ditë pas ndeshjes ai i kërkoi falje grupit dhe për mendimin tim as që duhej ta bënte”, tha Gabbia.
“Unë e njoh Theo prej vitesh dhe e di se sa shumë kujdeset për fanellën dhe botën e kuqezinjve. Ai është një nga kampionët tanë, një pasuri që pati një natë të keqe, por na ka dhënë pikë dhe trofe. Ai ka mbështetjen tonë dhe Milanin në zemrën e tij, ai do ta vërtetojë këtë“, shtoi mbrojtësi.
Gabbia, i cili me ardhjen e Conceiçao ka lënë njëmbëdhjetëshen titullare, foli për sezonin ende në zhvillim: “Tani duhet ta përfundojmë në mënyrën më të mirë të mundshme këtë sezon”.
“Sigurisht që nuk mund të jemi të kënaqur. Nuk mund të fitosh gjithmonë, por ky duhet të jetë qëllimi. Ne përpiqemi të ndjekim trajnerin në çdo kohë. Klubi është në anën tonë dhe na mbështet”, tha Gabbia./telesport/