Merkatoja hyrëse mbaroi, por ajo dalëse mund të vijojë më tej. Kjo është pritshmëria e Juventusit për dy lojtarë të padëshiruar, Arthur Melo dhe Filip Kostic, të cilët Thiago Motta nuk i ka në plan.
Bardhezinjtë këtë verë kanë bërë merkato mbresëlënëse, por disa balanca duhen ruajtur, sidomos ato financiare. Kjo do të thotë se duhen ulur shpenzimet e pagave, sidomos për lojtarë që nuk konsiderohen titullarë.
Kostic kishte mundësi të transferohej tek Fiorentina, por klubi vjollcë në fund zgjodhi Gosens. Ndërkohë, Arthur Melo u kthye nga huazimi (Fiorentina) dhe ishte pranë kalimit te Napoli, por as kjo lëvizje nuk ndodhi. Juventusi ka mbetur i zënë gafil.
Kostic paguhet 2 milionë euro bruto, kurse Arthur 3.2 milionë euro bruto. Ka dy vende ku ata mund të transferohen në shtator, kur e lejon rregullorja e merkatos: Arabia Saudite dhe Turqia.