Thierry Henry nuk i kurseu komentet për Kylian Mbappe dhe Real Madridin në “CBS”, duke përdorur fjalë jo shumë të buta ndaj ish-kampionit të PSG: “Skuadra është e frustruar me të, e kuptoj dhe nuk është e lehtë.

Duhet t’i japim kohë, por njëherazi duhet të mësojë të luajë si numër 9, duke pasur dëshirën për të bërë më të mirën si qendërsulmues. Nuk mund të shkojë më keq se kaq, ndaj të mësojë të luajë në qendër të sulmit dhe ta ndihmojë skuadrën”.

Henry e akuzon yllin francez se është pak statik: “Pavarësisht nëse je anësor, ‘9’ apo ‘10’, duhet të vraposh. Madje edhe Rudiger bëri një inkursion të gjatë në pjesën e parë. Ka një gjë tjetër, që është e gabuar. Ne e kemi ngritur pikëpyetjen që kur mbërriti Mbappe te madrilenët: Si do ta balancojë Ancelotti ekipin e tij?”

Së fundi, Henry përfundoi duke mbrojtur Rodrygo: “E di që mund të mos ketë pasur efikasitetin e Vinicius sezonin e kaluar, por ai balanconte ekipin pa top. Tashmë nuk po luan titullar, sepse ia ka zënë vendin Mbappe. Do të jetë e vështirë për Ancelottin të gjejë një mënyrë për të gjithë lojtarët, që të bashkëjetojnë. Ajo që po bën aktualisht nuk mjafton”./telesport/