Opinion nga Redan BUSHATI
Në këtë përfolje me zërin e brendshëm, në mëdyshje për t’jua mundësuar edhe të tjerëve a jo arsyen e shtjellimit të ngjarjes nga ndërgjegjia personale, duke u kujdesur edhe në moskeqkuptimin e radhës, shpresoj të marri udhë sidoqë ajo të interpretohet nga lexuesi, veçmas ai sportdashës shkodran. Në pamundësi për të ndjekur takimin Vllaznia – Skërnderbeu, ndeshje e luajtur në ”Loro Boriçi” për kupë, shikova shumëherë, përmes medias, gjestin e një prej tifozëve shkodran në shkallët e stadiumit. E shikova me vëmendje, ndoqa edhe mendimet e palëve, por edhe të analistëve dhe gazetarëve dhe prita më në fund edhe reagimin e drejtuesve të klubit Vllaznia. Reagimi nuk erdhi. Ndërkohë, që sa më shumë ditë të kalojnë, edhe sikur ky reagim të vijë, do të ndeshet me një zbehje dhe imazh negativ të gjykimit të botës së sportit shqiptar në tërësi ndaj vonesës së pajusfikueshme.Sportdashësi ka të drejtë të gjykojë dhe paragjykojë sa të mundet aktorët e fushës së blertë, duke i shbërblyer ato me duartrokitje, por edhe me fishkëllima. Por, nuk ka asnjë të drejtë ligjore dhe morale të hedhi thirrje kolektive raciste, të gjuajë me sende në fushën e lojës apo edhe të futet në brendësi të saj. Futbolli prandaj është i bukur, pasi përfshin gjithçka e mbi të gjitha show-un. Por, të gjuash trajnerin me top bore dhe të futesh në fushën e lojës për ta goditur atë, ç’dreq spektakli është? Kjo është fillim e mbarim, veçse antivlerë. Sidoqë të jetë sjellur para, gjatë dhe pas 90 minutëshit të lojës tekniku drejtues i ekipit kundërshtar, asfare të drejtë nuk ka një tifoz të qëllojë mbi të, e jo më të futet në fushën e lojës. Në rastin tonë tragjikja shoqërohet me komiken, sa të bën të shkulesh nga halli, kur me një indiferentizëm të pashoq, forcat e rendit lejojnë të hyjnë tifozin në fushën e lojës për të goditur trajnerin dhe ngurrojnë ta ndalin, në mos edhe mund ta kenë përkedhelur. Të ndodhte një ngjarje e tillë në disa stadiume të tjera të Shqipërisë që njihen si problematike, ndoshta nuk do të ta shtroja çështjen fare për diskutim, por të ndodhte në djepin e kulturës, artit dhe sportit një ngjarje e tillë e ulët, kjo të turbullon dhe të vë në faj edhe ty edhe pse faj nuk ke. Por turbullira i lë vendin habisë dhe zemërimit, kur shikon drejtuesit e klubit Vllaznia të ngrysin netët dhe gdhijnë ditët krejtësisht të qetë, që pas takimit të zhvilluar.
Mundet, që një tifozë të hyjë në fushën e lojës. Mundet, që ai të godasë me top bore. Po hajt po themi, mundet që të shkojë edhe të godasë i patrazuar një trajner. Poo…r nuk mundet kurrsesi në asnjë klub serioz të botës, që drejtuesit e tij të mos kërkojnë falje publike për gjestin antisportiv të tifozit të tyre, ndjesë dhe keqardhje ekipit kundërshtar dhe kërkesë forcave të policisë apo sigurisë në stadium për të pasur më vëmendje dhe reagim të shpejtë përkundrejt këtyre rasteve antisportive.
Shkodra, dashnorja e shekujve e Migjenit, kaq larg lavdisë së saj përpëlitet kaq vajtueshëm sa kurrë nuk mund ta mendoja se nuk do të dilte një nga drejtuesit e klubit për të kërkuar falje për ngjarjen e turpshme të ndodhur në stadiumin ”Loro Boriçi”. Me vete mendoja se mes lëmshit dhe njollës, mes baltës dhe halldupërisë, mes fekaleve dhe hajvanërisë së pashoqe të grumbulluar përgjatë viteve të tranzicionit të stërzgjatur edhe në atë qytet, fundja do të gjendej një i vlertë, së paku burrë e qytetar Shkodre me taban e tradita, që të llomotiste nja dy a tre fjalë se nuk do t’i kushtonin asgjë. Por, ja që nuk paska asgja matan’ gardhit do të thoshte Migjeni. E kësisoj nuk mbetet tjetër veç të thërrasësh në tym ashtu si presin më kot ushtarët në Shkretëtirën e Tartarëve armikun, vlerat e humbura të dashnores së shekujve!