Tetë ndeshje, tetë fitore dhe vend i parë në renditje. Kjo është ecuria e ekipit të Vllaznisë në volejboll për meshkuj gjatë fazës së parë. Një ecuri mbresëlënëse që ka bërë për vete të gjithë sportdashësit. Por vetëm ata mesa duket.

Ekipit kuqeblu me siguri që kjo ecuri nuk do t’i mjaftojë atij për t’u shpallur kampion dhe për të fituar Kupën e Shqipërisë. Dy prej ekipeve pretendente, Erzeni e Partizani pritet që ndërhyjnë në merkato për të marrë lojtarë të huaj. Kjo do të prishte ballancat në raport me Vllazninë.

Për këtë arsye, trajneri Kraja dhe kapiteni Qafarena kanë ngritur zërin duke kërkuar mbështetje. Skuadra ka nevojë për përforcime dhe për këtë, duhen hedhur sytë jashtë Shqipërisë. Nevoja është për të marrë dy lojtarë cilësorë, një pasues dhe një shuter.

Ata fare mirë mund të gjenden në vendet e Rajonit dhe shpenzimet për ta nuk e kalojnë shumën e 10 mijë eurove. Për të dy sëbashku. Kaq do mjaftonte që Vllaznia të shpallej sërish kampione e vendit dhe të synonte edhe kupën e Shqipërisë.

Shkodra dhe shkodranët dashamirës të këtij sporti duhet të vihen në lëvizje për ta grumbulluar këtë shumë. Presidenti i basketbollit Alban Xhaferi ka sjellë tre lojtarë amerikanë dhe një trajner kroat dhe shuma që do të shpenzojë për ta, padyshim që do të jetë mbi 10 mijë euro.

Ai nuk do të ndalet këtu sepse ka ndër mend të shpenzojë sërish sepse do të bëjë të tjera blerje. Dhe për çfarë, për ta shpëtur atë ekip nga rënia prej kategorisë. Në kontrast me të, ekipi i volejbollit do 10 mijë euro për t’u shpallu kampion. Deri më tani nuk i ka.

Prandaj dhe ky shkrim duhet të shërbejë si apel për biznesmenë të ndryshëm, për ta ndihmuar këtë ekip. Pjestarët e tij meritojnë vërtetë mbështetje. Të paktën shkodranët ta festojnë 100 vjetorin e Vllaznisë me titullin kampion të volejbollit.
© shkodrasport.com