Prej një muaji e gjysëm drejton Vllazninë dhe deri më tani gjithçka i ka shkuar mirë. Ndoshta edhe ndonjë vështirësi që ka hasur gjatë punës së tij e ka kaluar me kujdes dhe duket shumë entuziast. Trajneri Thomas Brdariç duket i kënaqur me përvojën e deritanishme në Shkodër dhe këtë gjë e ka rrëfyer edhe në një intervistë për RTSH dhënë gazetarit Altin Kodra.

“Ndihem shumë mirë këtu, në këtë qytet dhe më pëlqen të punoj duke menduar se kjo gjë është vendimtare. Sigurisht që unë kam një përgjegjësi të madhe dhe detyra ime këtu nuk është e lehtë, por duhet të punojmë, të jemi të duruar dhe të ndërtojmë diçka. Të ndërtojmë një skuadër, të ndërtojmë një atmosferë sa më të mirë dhe kështu hap pas hapi do të shkojmë përpara dhe mendoj se po shkojmë në drejtimin e duhur.

Për mua rezultati është i rëndësishëm sepse njerëzit këtu presin rezultate të mira, por duhet të jemi të kujdesshëm në ato që themi dhe premtojmë dhe në këtë rast, e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Ne sollëm shumë lojtarë gjatë merkatos por ato duan kohën e vet që të shndërrohen në një skuadër. Po punojmë shumë dhe lojtarët janë tepër ambiciozë, të vëmendshëm në punën e tyre, të uritur për sukses dhe unë duhet t’u tregoj atyre çdo ditë drejtimin e duhur.

Por kjo më pëlqen, sepse më pëlqen mendësia e lojtarëve dhe mendoj se kemi grumbulluar në këtë ekip lojtarët e duhur me të cilët do të rikthejmë suksesin. është e rëndësishme të kuptojmë sesi ne punojmë, jam i sigurtë se kemi nisur një strategji të mirë për të vijuar me punën e nisur, edhe pse na duhet të punojmë njëkohësisht në shumë drejtime dhe kemi shumë çështje për t’u zgjidhur.

Megjithatë unë mendoj se shumë prej këtyre çështjeve i kemi zgjidhur tashmë, ndonëse nuk e nisëm nga zero por nga minusi. Me ndihmën e kryebashkiakes Ademi, presidentit Xhaferi dhe me grupin e punës që kemi ndërtuar dhe me Bordin e klubit, të gjithë këta njerëz, ashtu si dhe unë, janë të interesuar që ta sjellim këtë klub në nivelin e duhur.

Ne kemi nevojë për kohë dhe në fakt nuk e kemi patur të mjaftueshme sepse po punojmë prej vetëm gjashtë javësh dhe ajo që ne bëmë, ishte shumë e mirë. Tashmë duhet të vazhdojmë punën duke mos shikuar më prapa, por të fokusohemi vetëm te rezultatet. E dimë që është një sezon i gjatë, por duhet ta fillojmë mirë atë. E di që kur të fillojë kampionati do të jemi konkurrues, por duhet të jemi të qetë, të heshtur dhe fjalëpak. Të shpalosim sjellje profesioniste në të gjitha drejtimet dhe unë jam i sigurtë që ne mund të kemi një sezon të mirë”.

Shkodra në fakt nuk është një qytet i qetë dhe prandaj të punosh aty nuk është e lehtë, megjithatë gjermano- kroati kërkon ta shmangë këtë gjë duke thënë: “Shiko, ne duhet të përqendrohemi e të punojmë fort. Ajo që thonë njerëzit në internet, në forume dhe rrjete sociale, nuk ka rëndësi për ne, nuk më shqetëson. Jam një njeri me shumë përvojë si lojtar, por në vitet e fundit kam ndërtuar skuadra me ecuri të kënaqshme dhe e di si ta përballoj një gjë të tillë”.

Problemi kryesor i Vllaznisë aktuale është mungesa e golit, por trajneri Brdariç nuk shqetësohet për këtë gjë dhe shton: “Dua t’u jap të gjithë lojtarëve mundësinë për të treguar vlerat e tij në kushtet ku jemi. Mendoj se secili ka patur mundësinë të japë më të mirën, prandaj mund të themi se ky është grupi ynë i lojtarëve. E rëndësishme është të punojmë fort, të krijojmë raste për shënim dhe jam i sigurtë se ne do të shënojmë, edhe pse e di që nganjëherë është e vështirë të shënosh për shumë arsye. Tifozët presin që ne të shënojmë sa më tepër, por ju siguroj se atëherë kur do të na duhet, do të shënojmë dhe të gjithë do të jenë të lumtur”.

Thomas Brdariç vjen nga Gjermania e një niveli të lartë te Vllaznia në Shqipëri dhe ndryshimi duket shumë i madh në të gjitha drejtimet. Por gjermano- kroati në fakt shprehet i lumtur që ndodhet në Shkodër. “Gjëja e parë që duhet të bësh është të kuptosh kulturën e njerëzve, të kuptosh si funksionojnë ata dhe duhet t’u përshtatesh sadopak gjërave që ndodhin në këtë vend. Nuk jam këtu të përshtatem me jetën, por të shfrytëzojë mundësitë që më jepen. E rëndësishme për mua është të ndërtojë një skuadër të mirë dhe pastaj gjithçka do të jetë mirë e bukur. Por unë e di tashmë sesi punohet, jam mësuar me vendin, madje edhe me politikën. sepse jam një profesionist dhe më duhet të përshtatem me këtë gjë.

Deri më tani kam patur marëdhënie të mira me të gjithë dhe jam i lumtur që jam këtu. Kam një marëdhënie të mirë me djemtë te Vllaznia dhe zbavitemi mjaft sepse dihet që jo çdo gjë duhet të merret seriozisht. Jemi të përqendruar në punën tonë, duhet të jemi seriozë në punë, por nganjëherë edhe duhet të zbavitemi. Qeshim goxha, bëjmë shaka në dhomat e zhveshjes, flasim shumë gjuhë aty brenda, por unë po përpiqem ta mësoj sa më shumë gjuhën shqipe dhe besoj se tani i kuptoj njerëzit më shumë se më përpara”./SHKODRA-SPORT.COM/