Zhurma e krijuar javën e kaluar për krisje të presidentit Xhaferi me drejtorin Osmani dhe trajnerin Brdariç është lënë pas. Gjithçka duket se është sheshuar. Trajneri gjerman pas miqësores me Teutën pranoi në një farë mënyre se mund të ketë pasur ndonjë debat, por në të mirë të punës, siç kishte pohuar edhe presidenti Xhaferi.
Si e keni parë këtë ndeshje testuese kundër Teutës?
Në përgjithësi bëmë një punë të mirë. I dhamë çdo lojtari minuta në këtë takim dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur. Në disa vende kemi vend për t’u rritur.
Tre gola të pësuar nga gabime tuajat. Sa ju shqetëson ky fakt?
Kishim disa lojtarë të rinj, por edhe disa me eksperiencë në fushë. Duhet punohet shumë në nivel profesionist, që kur kundërshtari na bën presing lart, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të gjejmë edhe zgjidhjet. Jemi duke punuar për këto zgjidhje, por në atë moment duhet të merret vendimi i duhur dhe në tri rastet nuk u morën vendimet e duhura. Në përgjithësi nuk është se ata dhanë më të mirën dhe me këto tri dhurata barazuan shifrat.
Javën e kaluar theksuat se prisni lojtarë nga merkatoja, por deri tani nuk ka pasur asnjë lëvizje…?
Ne duhet të fokusohemi tek afrimet esenciale. Duhet të përqendrohemi për të marrë lojtarë, të cilët mund të na rrisin si ekip. Vllaznia ka nevojë edhe për një numër 9 tjetër, pasi në një sezon të gjatë do të jetë e vështirë që të mbulohet vetëm nga një lojtar si Balaj. Kjo është më e rëndësishmja, ndërsa për pozicione të tjera kemi lojtarë të rinj, të cilët do të tregojnë veten se e meritojnë të luajnë.
Ndërkohë, shënojnë të tre sulmuesit. Një shenjë e mirë kjo, apo jo?
Gjë shumë e mirë. Shpesh harrojmë se janë gabime individuale, por performanca e përgjithshme e ekipit nuk është e keqe. Në futboll vlejnë golat dhe nëse nuk fiton, duhet që të shpjegohesh. Jam pozitiv, sepse kam parë rritje tek ekipi ynë.
Edhe tifozët e pranishëm mendojnë se loja ishte më e mirë…
Më pëlqeu loja ofensive. Gjithçka do kohën e vet. Kundër Valurit nuk kishim kohën e duhur, luajtëm ndaj një ekipi me shumë eksperiencë dhe morëm mësimin e duhur. Kemi punuar në disa gjëra dhe ishte e dukshme në këtë ndeshje.
Do të ketë ndonjë miqësore tjetër para ndeshjes me Partizanin?
Po shikojmë mundësinë për të luajtur edhe me Laçin. Por mund të ketë edhe në mesjavë ndonjë test, për t’u dhënë lojtarëve të rinj mundësinë të shprehen më mirë.
Ishte një javë e zhurmshme, ku u fol për një përplasje mes jush dhe drejtorit Osmani e presidentit Xhaferi. Çfarë ndodhi realisht?
Ne duhet të jemi të qetë. Askush nuk do që të humbë dhe nuk duhet t’i jepet dikujt faji që humbet një ndeshje. Kemi folur për çdo gjë. Duhet të kapim objektivin tjetër, që është gjëja më kryesore. Marrëdhëniet e mia me presidentin dhe drejtorin janë shumë të mira. Më pëlqen kur kemi disa përplasje të vogla me njëri-tjetrin, gjithmonë për të mirën e punës, por njëkohësisht duhet t’u japim edhe lojtarëve disa detyra në fushë. Është shumë e thjeshtë për t’i lënë fajin një personi. Unë, bashkë me drejtorin Osmani, kemi përgjegjësi të mëdha, por në fund të fundit ne nuk luajmë në fushë.