Largimi i Migen Memellit para pak ditësh nga stoli i skuadrës së Skënderbeut, bëri që korçarët të jenë ekipi i 7-të këtë sezon që ndërron trajnerin. “Ujqërit e dëborës” pas largimit të pogradecarit, sollën në krye të skuadrës një figurë të njohur si Skënder Gega. Trajneri tropojan do ketë detyrën e vështirë për të siguruar mbijetesën tek bardhekuqtë.

Por ndërrimi i trajnerëve dhe shkarkimi i tyre vijon të jetë një trend në vendin tonë. Vetëm 3 skuadra ende nuk e kanë ndërruar timonerin me të cilin filluan sezonin. Kështu Tirana kryesuese ka në krye të pankinës, Orges Shehin. Patjetër që durrsaku nuk mund të vihet në diskutim duke parë edhe rezultatet e shkëlqyera si ka. E duket se pozitat e tij në krye të stolit bardheblu janë shumë të mira.

Kukësi gjithashtu ende nuk e ka ndërruar trajnerin këtë edicion. Presidenti Gjici i cili njihet se nuk është shumë i duruar me trajnerët ende nuk ka vendosur për ndonjë largimi të italianit Longo. Pavarësisht se shpesh në media është përmendur për largim të trajnerit në rradhët e kuksianëve. Zëra që ende nuk janë konfirmuar me ndonjë largim apo shkarkim zyrtar.

Edhe Vllaznia gjithashtu nuk e ka ndërruar trajnerin e saj. Thomas Brdariç vijon të jetë në krye të pankinës shkodrane që prej sezonit të shkuar duke u bërë gati që të mbyllë sezonin e tij të dytë në rradhët e kuqebluve.

Kjo e bën gjermanin trajnerin më jetëgjatë në krye të një skuadre të Superligës aktualisht. Një rekord thuajse 2 vjeçar, që në futbollin shqiptar në vitet e fundit ka ndodhur në shumë pak raste.