Thomas Müller, simboli i Bayern Munich dhe një nga figurat më të dashura të klubit bavarez, ishte protagonist i një formati të veçantë me anëtarët e “FC Bayern Kids Club”, të cilët i drejtuan disa pyetje ikonës gjermane.
I pyetur për besnikërinë e tij të gjatë ndaj klubit bavarez, Müller tha: “Për mua është një klub fantastik, nuk kam dashur kurrë të largohem. Sigurisht, ka pasur momente kur gjërat nuk shkonin mirë. Për shembull, ish-trajneri im Louis van Gaal donte të më çonte në Angli. Nuk shkova dhe pas gjithë këtyre viteve jam ende këtu, ndjehem mirë”.
Cili ka qenë kundërshtari që të ka impresionuar më shumë gjatë karrierës?
Nuk e di saktësisht. Nuk dua të përmend një emër të vetëm, sepse kam pasur fatin të luaj kundër shumë kundërshtarëve të nivelit të lartë.
Cili ka qenë momenti më i mirë në karrierën tënde me Bayernin dhe me kombëtaren?
Më së shumti, janë përjetimet jashtë fushës me njerëzit përreth, që kanë qenë gjithmonë të mrekullueshme. Fitorja e tripletës në vitin 2013 është padyshim diçka shumë e veçantë për mua, por edhe humbja në finalen e Champions-it në shtëpi, më 2012, pati një ndikim të madh tek unë.
Në fund të sezonit, kontrata e Thomas Müller do të përfundojë dhe, sipas raportimeve, ai do të largohet nga Bayerni për t’u bashkuar me një klub ende të panjohur. Një epokë po mbyllet në Münih, por trashëgimia e tij do të mbetet përgjithmonë./telesport/