Portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Thomas Strakosha ka dhënë intervistën e parë për faqen zyrtare të Brentford. Ai tha se ndihet shqiptar dhe se e do orgjinën e tij, prandaj edhe zgjodhi të luajë për Shqipërinë.

Strakosha u shpreh se është i nderuar të luajë me Kombëtaren, ndërsa theksoi se babai i tij ishte arsyeja se pse luan futboll tashmë.

“Pse zgjodha Shqipërinë dhe jo Greqinë? E dua Greqinë, kam lindur atje. Greqia është një shtet i mrekullueshëm, por prindërit e mi janë shqiptarë. Unë ndihem shqiptar dhe e dua origjinën time. Babai im ka qenë kapiteni i Kombëtares, kjo është një gjë e madhe. E adhuroj shumë për atë që ai ka bërë, sidomos në kohët e vështira të atëhershme. Kështu që, jam i nderuar të jem në Kombëtare.

Babai ishte arsyeja se pse unë luaj futboll dhe u bëra portier. Kur sillte ndonjëherë doreza në shtëpi, unë i kontrolloja dhe përpiqesha që t’i provoja, por duart e mia ishin të vogla dhe ato ishin të mëdha. Rashë menjëherë në dashuri. Rashë në dashuri me ruajtjen e portës, të pasurit të një roli të rëndësishëm në ekip. Kur je portier, duhet të kesh një personalitet tjetër nga fubollistët, sepse kanë një rol të rëndësishëm në skuadër.

Babai ishte shumë-shumë i mërzitur që u bëra portier. Ai nuk donte që unë të bëja atë rol. Më thoshtë: “Pse? Të gjithë do të ndëshkojnë, nëse bën një gjë gabim. Mund të bësh dhjetë gjëra të mira. Ata do të kujtojnë gjënë e keqe që ke bërë”. U përpoq shumë të më ndryshonte pozicionin, por nuk ia doli”,-mbylli prononcimin e tij, portieri shqiptar i Brentford, Thomas Strakosha.
Maringlen ZHIVANI