Bayern Munchen u mposht mbrëmjen e djeshme në mënyrë suprizuese në shtëpi nga Werder Bremen, në ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të të Bundesligës. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Allianz Arena” përfundoi me fitoren 0-1 të miqve. Kjo humbje solli që rekordmenët gjermanë të thellojnë diferencën me Leverkusenin kryesues në plot -7 pikë.
Pas kësaj sfide, trajneri i bavarezëve Thomas Tuchel foli para mediave. Tekniku gjerman fajësoi lojtarët e tij, duke thënë se për plot 70 minuta nuk ishin në fushë dhe se ata luajtën vetëm në 20 minutat e fundit.
“Kjo humbje është totalisht përgjegjësi e jona. Për plot 70 minuta e pata ndjesinë se nuk po luanim për të fituar ndeshjen, e bëmë këtë vetëm për 20 minuta dhe aq nuk është e mjaftueshme. Kjo nuk duhet të ndodhë me lojtarët e një klubi si Bayern Munich.
Kur nënshkruan për Bayern, do të thotë që çdo ndeshje ta luash me 100 kilometra në orë. Ky nivel i dedikimit është për lojtarët dhe për trajnerin gjithashtu. Pashë që në fushë luanim sikur jemi 10 pikë para, duhet të bëjmë më mirë”, është shprehur trajneri i Bayernit, Thomas Tuchel.