Vllaznia do rikthehet në aktivitet në mesjavën që vjen me përballjen e gjysmëfinales së kupës së Shqipërisë. Shkodranët do kenë përballë Partizanin, me të cilin do diskutojnë vendin për në finalen e madhe të kompeticionit.
Një kompeticion ku kuqeblutë mund të “shërojnë” “plagët” e kampionatit, ku tashmë titulli duket i pamundur dhe zona europiane është komplikuar disi me humbjet e javëve të fundit. Por kupa mund të jetë rruga për të shpëtuar sezonin. E në këtë rrugë është Partizani.
Një kundërshtar i fortë historikisht dhe që edhe këtë sezon ka si synim kupën, po ashtu si Vllaznia për të shpëtuar edicionin e tyre futbollistik. Por statistikat e ndeshjeve të fundit tregojnë për një dominancë të shkodranëve përballë “demave” të kuq.
Kështu në 3 përballjet e këtij edicioni numërohen 2 barazime në shifrat 1-1, në fazën e parë dhe të tretë e ndërsa Vllaznia ka edhe një fitore 1-0 në fazën e dytë kundër kryeqytetasve. Po ashtu sezoni i shkuar ka folur i gjithi në favor të Vllaznisë për sa i përket përballjeve me 16 herë kampionët e vendit. Ku shkodranët morën dy fitore në shifrat 1-0 dhe dy barazime 0-0.
Për të parë një triumf të Partizanit kundër Vllaznisë duhet të kthehemi thuajse 2 vite pas në kohë. Më konkretisht në datën 24.07.2020, ku të kuqtë fitonin në shifrat 3-0 kundër Vllaznisë. Pra thuajse 2 vite pa fitore për ekipin e drejtuar nga Mehmeti tashmë. Statistika pozitive këto për Vllazninë, që do kërkojnë ti vijojnë edhe në përballjen e rradhës.
Endri ÇINARI