Ish-sulmuesi i njohur francez, Tierri Henri, mendon se Pep Guardiola “nuk është mirë mendërisht”, si pasojë e divorcit me bashkëshorten e tij, Kristina Serra, si dhe sezonit të tmerrshëm që po përjeton Mançester Siti.
Në janar u mësua se Guardiola ishte ndarë nga gruaja pas 30 viteve bashkë, pasi ajo kishte vendosur të mbyllte gjithçka kur trajneri zgjodh të rinovonte deri në vitin 2027 me Mançester Sitin. Guardiola nuk ishte dukshëm i qetë në këto muaj dhe në nëntor u shfaq para kamerave me gërvishtje në fytyrë pas një barazimi 3-3 ndaj Fejenordit në Ligën e Kampioneve.
Tierri Henri, i cili përjetoi një divorc në vitin 2007 pak kohë pasi iu bashkua Barcelonës, ka shpjeguar se e njeh mirë këtë situatë.
“A ndjej keqardhje për të që po ndodh te Mançester Siti dhe Pep? Po, për një gjë”, tha ai duke folur për “Sky Sports”.
“Nuk është e lehtë të merresh me atë që po merret Pep jashtë futbollit. Unë e kalova këtë kur shkova te Barcelona. Nuk është e lehtë të merresh me gjëra të tilla, kur nuk je mirë mendërisht.
Mund ta shohësh që nuk është Pep i zakonshëm. Edhe mua m’u desh të përballesha me këtë kur shkova te Barcelona, mund t’u them se nuk është e lehtë. Askush nuk do të dëshironte të përballej me këtë në një periudhe ku duhet gjithmonë të paraqitesh në nivelin e kërkuar. Ndaj mund ta mirëkuptoj”, tha Henri për situatën e trajnerit spanjoll të Mançester Sitit.