Në Shkodër, qytetin ku kanë lindur shumë sporte, natyrisht që çdo herë ka patur edhe shumë tifozë. Mbase mund të jetë gjenetike. Ky qytet dallohet për mbështetjen e zjarrtë që i jep ekipeve sportive të tij, kryesisht atyre të Vllaznisë. Deri para viteve ’90, kryefjala ka qenë shkuarja e tifozëve shkodranë nga Shkodra në Tiranë, Durrës apo dhe Kavajë, me biçikleta për të ndjekur Vllazninë. Ato që e kanë bërë këtë gjë, krenohen edhe sot me “sakrificën” që kanë bërë. Krenohen jo se kanë bërë ndonjë gjë të madhe por thjesht se kanë qenë gjithnjë në krah të Vllaznisë, skuadrës së tyre të zemrës dhe kanë përjetuar momente për t’u mbajtur gjatë në mendje.


Pas viteve ’90, ka patur një kulm të tifozërisë në vitet ‘1996-’98, madje deri më 2001, të shoqëruar edhe me fitimin e disa trofeve nga Vllaznia. Pas kësaj periudhe ka patur njëfarë rënie, braktisje të stadiumit nga ana e tifozëve. Derisa më 2005, u krijua grupimi i tifozëve “Vllaznit- Ultras”. I përbërë krejtësisht nga djem të rinj, ato formuan edhe slloganin e tyre: “Një jetë, dy ngjyra, një skuadër”. Kuptimi është i qartë: Jeta e tyre është Vllaznia, dy ngjyrat janë ato kuq dhe blu që personifikojnë skuadrën shkodrane, një skuadër, është pikërisht ajo- Vllaznia. Që atëherë kanë kaluar plot 8 vite nga krijimi i këtij tifo- grupi. Ndoshta pak por edhe shumë. Pjestarët e tij duken “të moçëm”, nisur nga fakti se janë prezent gjithnjë në çdo eveniment sportiv ku ka Vllazni, në futboll, basketboll, boks, volejboll madje edhe në futboll për femra. Mbështetja e tyre ka qenë e zjarrtë gjithnjë dhe jo më kot, ata janë bërë të njohur në mbarë vendin. Me konceptin modern të të bërit tifozllëk, “Vllaznit”, u munduan të fusin shumë ide të reja. Shpeshherë të kuptuara nga të tjerët, shpeshherë jo. Madje në disa raste (dhe këto nuk janë të pakta), janë keqkuptuar edhe nga forcat e rendit prandaj dhe nuk kanë munguar përplasjet me ta. “Vllaznit” shpeshherë edhe janë mërzitur me rezultatet e Vllaznisë, por nuk janë tërhequr nga mbështetja e tyre. Kohët e fundit po vihet sërish re kjo, por nuk është një tërheqje përfundimtare. Mund të jetë thjesht zemërim. Sepse ku ka Vllazni, ka edhe “Vllazen”. Jo më kot ata po shndërrohen në protagonistët kryesorë në ndeshjet e basketbollit të kohëve të fundit.
Sot “Vllaznit” mbushën 8 vjet nga krijimi i tyre. E festuan në ndeshjen e basketbollit Vllaznia- Tirana përvjetor, teksa para ndeshjes kanë shpalosur një flamur të madh kuqeblu (sa njëra nga tribunat e pallatit) dhe në të kishte vetëm një numër- 8. Atë që tregonte vitet e formimit të këtij tifo- grupi.
Shkodrasport.com ka qenë shpeshherë pranë këtyre tifozëve, i ka mbështetur dhe do të vazhdojë t’i mbështesë sepse në fund të fundit, ata i përkasin Shkodrës dhe më shumë se çdo gjë tjetër në jetën e tyre, ata duan Vllazninë. Prandaj dhe sot gjejmë rastin t’i urojmë “Gëzuar ditëlindjen Vllazen”!. Nuk po themi atë urimin e zakonshëm “Edhe 100 vite të tjera”. Sepse duam që ky grupim të jetojë më shumë sesa kaq. Me pasardhësit tuaj por me një mision të njëjtë: për të qenë gjithmonë pranë Vllaznisë.
Prandaj edhe njëherë tjetër, Gëzuar!

 

Gjergj KOLA