Pallati i sportit “Qazim Dervishi” i qytetit të Shkodrës ka pritur pasditën e djeshme një superndeshje të volejbollit të femrave. Fjala është për çiftin Vllaznia-Barleti Volley, i cili u fitua nga ekipi kuqeblu me rezultatin 3-1.

Kjo ishte ndeshja e tretë e dy skuadrave në fjalë dhe ishte shumë vendimtare për të dy ekipet, pasi me fitoren e djeshme Vllaznia në volejboll për femra siguroi biletën kualifikuese të gjysëmfinalistes.

Përpara ndeshjes, presidenti i Vllaznisë, Florian Zekja kërkoi mbështetjen e tifozërisë shkodrane dhe nga sa u pa pasditën e djeshme në shkallët e pallatit të sportit “Qazim Dervishi”, publiku nuk i la në baltë, duke i mbështetur maksimalisht ato.

Ndoshta, përveç meritës së volejbollisteve të reja shkodrane, një impuls më tepër në fitoren e kësaj ndeshjeje, padyshim që dha edhe entuziasmi i publikut shkodran, sepse sa herë është kërkuar një gjë e tillë, ata ia kanë arritur t’i mbushin pothuajse plot shkallët e pallatit të sportit “Qazim Dervishi”.

Kjo gjë ndodhi edhe pasditën e djeshme, gjë që ndikoi më pas në një performancë të mirë të Vllaznisë dhe fitores së kësaj ndeshjeje nga vajzat kuqeblu.
Maringlen ZHIVANI