Vllaznia ditën e djeshme është rikthyer sërish në stërvitje pas ditës së pushimit. Shkodranët kanë zhvilluar si zakonisht dy seanca stërvitore, duke marrë ngarkesën e duhur fizike. Seanca e paradites është zhvilluar si zakonisht në stadiumin “Loro Boriçi”, ndërsa ajo pasdite në fushën sportive të Golemit.

Seanca e stërvitjes pasdite duket se ka tërhequr vëmendjen edhe të tifozëve shkodranë. Disa nga mbështetësit kuqeblu kanë ndjekur procesin stërvitor. Kjo edhe nga kurioziteti për të parë afrimin më të fundit të Vllaznisë, Marko Juric. Por ai që ra në sy më tepër nuk ishte mbrojtësi kroat, por sulmuesi Kaina.

Braziliani ka lënë përfundimisht pas dëmtimin që e shqetësoi para pak ditësh. Gjatë stërvitjes së djeshme ai ishte ndër më të spikaturit në lojën që u zhvillua brenda grupit. Kjo duke rritur shumë optimizmin për të në rradhët e tifozëve, që ishin realisht të surprizuar nga forma fizike, por edhe teknike e shtatlartit.

Tashmë duket se ai i shpall “luftë” Aralices për një vend titullari gjatë sezonit. Dhe duke parë formën e mirë të sulmuesit, Josa do ketë luksin për të zgjedhur mes sulmuesve.

Kujtojmë që Kaina është pjesë e Vllaznisë që sezonin e kaluar, por në janar u huzua tek Kastrioti. Me krutanët ai shkëlqeu duke shënuar 6 gola në pjesën e dytë të edicionit 2021-22. Dhe tashmë ai do provojë edhe njëherë shansin e tij tek kuqeblutë.

Endri ÇINARI