Ndonëse pak tifozë të pranishëm pasditen e sotme në “Loro Boriçi”, ata kanë qenë shumë aktivë në mbështetjen e Vllaznisë. Por duke qenë të paktë, në shumë raste dëgjoheshin edhe thirrjet e tyre në adresë të atrbitave, kundër futbollistëve të Tiranës apo dhe në drejtim të trajnerit të Vllaznisë Ernest Gjoka. Siç ndodh rëndom në raste, ata këshillojnë edhe kë të duhet të heqin nga loja dhe kë duhet të aktivizojë.
Kështu ka ndodhur edhe sot, por një nga thirrjet që është përmendur shpesh, duket se ka qenë e drejtë. Duke parë se Ribaj nuk po bënte asgjë në manovrën sulmuese, madje shpeshherë duke u zënë në pozicione jashtë loje, apo dhe në një moment kur është rrëzuar brenda zonës kundërshtare dhe ka pretenduar më kot 11-metërsh, në fakt kanë qenë tifozët e Vllaznisë që e kanë ironizuar dhe në kor i janë drejtuar trajnerit: “O Gjoka, po hiqe atë Ribajn mor burrë, fute Pusin!” Dhe kështu ka ndodhur por Ribaj në fakt i ka lënë vendin Kalajës, autorit të golit të vetëm të kësaj ndeshje. Ndërkohë që edhe për sulmuesin 20 vjeçar Pusi ka patur disa minuta në dispozicion. Madje, ai ka patur edhe një shans shumë të mirë për të barazuar por topi i gjuajtur prej tij, është pritur me shumë vështirësi nga portieri Lika. Tifozët shkodranë në fakt këtë gjë duan, t’u jepet mundësia lojtarëve të rinj të tregojnë vlerat më mirë se disa lojtarëve të blerë që nuk po e justifikojnë veshjen e fanellës kuqeblu. Për ta, më mirë Vllaznia të humbasë me djem të rinj por që pretendojnë për të ardhmen dhe rasti “Pusi” mbase është njëri prej tyre. Ishte edhe rasti “Ruqi” sot. Mund të ketë edhe ndonjë tjetër.
© shkodrasport.com