Tifozët e Napolit kishin vendosur që të mbështesnin ekipin e tyre, përpara ndeshjes me Beneventon, me një banderolë thumbuese kundrejt Juves: “De Laurentis, nuk na duhen futbollistë.

Në merkato blejmë arbitrat dhe fitojmë kampionatin”. Një pankartë që dallohet qartë se u referohet bardhezinjve…

MAROTA SULMON – Deklarata e presidentit të Napolit, Aurelio De Laurentis, sipas të cilit Juventusi dhe “bosi” i tyre, Andrea Anjeli, dinë që ta kushtëzojnë fatin e kampionatit, nëpërmjet arbitrave, edhe duke qëndruar në heshtje, kanë marrë dje përgjigjen e numrit dy të klubit bardhezi, Xhuzepe Marota.

“Fjalët e De Laurentisit nuk na prekin aspak. Aurelio është një shakaxhi, ka fantazi klouni, një njeri i kinemasë ironike, ndaj i pëlqen të bëjë batuta.

Gjithsesi po i citoj Shopenhauerin: ‘Kur flasin për ty, duhet të kuptosh se kush je ti dhe kush janë të tjerët”, u shpreh drejtori i përgjithshëm i Juves.