Tifozët shkodranë vazhdojnë të jenë të shqetësuar për Vllazninë. 12 vite pa një titull kampion natyrisht që I kanë mërzitur së tepërmi ata. Në kushtet kur edhe për sezonin e ardhshëm vështirë të krijohet një ekip pretendent, ata kanë ngritur zërin. E thonë këtë në çdo bisedë, madje ditët e fundit kanë filluar t’ua thonë edhe politikanëve.
Zëri I tifozëve kuqeblu ka shkuar ditën e hënë edhe tek kryeministri Berisha I cili në takimin që pati me gazetarët gjatë vizitës së tij në Shkodër, fillimisht “shigjetoi” presidentin Agron Çela duke thënë se ai e la në baltë Vllazninë dhe prandaj drejtuesit duhet të mendojnë për një tjetër president. Ndërkohë, po atë ditë, në mitingun e madh të prezantimit të kandidatëve për deputet të forcës politike që ai drejton, Berisha ndër të tjera premtoi edhe ndërtimin e stadiumit “Loro Boriçi” si dhe një Vllazni në vendet e para.Por ndërkohë tifozët e skuadrës shkodrane nuk duken të kënaqur nga vetëm ajo deklaratë. Për këtë arsye, ditën e djeshme një grup I vogël tifozësh kanë shfrytëzuar praninë e kryeparlamentares Topalli në pedonalen e qytetit për ta ndalur dhe biseduar për futbollin. Ajo ka qenë duke vizituar një panair të nxënësve të shkollave të mesme profesionale të qytetit, kur është ndalur nga këto tifozë. “Zonja Topalli, a do na e bëni Vllazninë kampione apo jo një ditë apo do mbesim prapë duke shpresuar edhe për vite të tjera”- e ka pyetur njëri prej tyre. Kryeparlamentarja ka qeshur nga pyetja që I është bërë megjithatë ka kthyer një përgjigje të shkurtër duke thënë: “Do bëjmë diçka”. Ka thënë vetëm pak fjalë ngaqë nuk ka qenë vendi I përshtatshëm për të diskutuar për futbollin megjithatë burime pranë stafit të saj bëjnë të ditur se në ditët e fundit në takimet e zhvilluara është diskutuar jo pak për Vllazninë dhe sportin në këtë qytet sepse shkodranë janë shumë të ndjeshëm në fakt ndaj tij.
Gjendja. Po bëhen gati 20 ditë që nga momenti kur është mbyllur kampionati dhe që nga ai moment, Vllaznia është pushim. Kuqeblutë janë me pushime dhe në kushte të tilla janë degdisur në adresa të ndryshme. Dikush jashtë vendit, dikush nëpër qytetet e tyre duke kaluar disa ditë me familjet por skuadra për momentin nuk ekziston. Natyrisht që një periudhë e tillë është normale që skuadra të kalojë një periudhë të tillë ngaqë ajo nuk do marrë pjesë në Kupat e Europës prandaj dhe do ketë në dispozicion gjithë muajin qershor për t’u bërë gati për nisjen e fazës përgatitore. Ajo që shqetëson tifozët është padyshim heshja e drejtuesve të klubit të cilat kanë lejuar largimin e Smajlit dhe ndoshta edhe të ndonjë futbollisti tjetër. Presidenti Çela megjithatë vazhdon të premtojë megjithëse tifozët nuk duan të dëgjojnë vetëm fjalë por edhe vepra, madje sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo situatë nuk I pëlqen atyre dhe prandaj duken të paduruar kur siç thamë, çdo gjë është Brenda normave të ndërtimit të një skuadre pretendente. Ajo mund të bëhet por në fakt do jetë shumë e vështirë sepse lojtarët më cilësorë të kampionatit shqiptar thuajse janë kontaktuar tashmë nga skuadrat e tjera dhe ndodhen në prag të hedhjes së firmës. Mbase, do krijohet mundësia për të ndërtuar një ekip mesatar por me të tifozët nuk do jenë sërish të kënaqur prandaj dhe ata kanë kërkuar ndërhyrjen e kryeministrit apo dhe kryeparlamentares sepse për ta më mirë është të lihet një rrugë pa bërë e të ndërtohet një Vllazni kampione. A mendojnë vërtetë kështu edhe ata?
Gjergj KOLA