Joakim Lëv do të jetë trajneri i Gjermanisë në 4 vitet në vijim, deri në Europianin 2024. Ky është vendimi i Federatës Gjermane, e cila ka zhvilluar sot një mbledhje për të konfirmuar trajnerin, pasi pozitat e tij ishin vënë në dyshim pas disfatave të kohëve të fundit të përfaqësueses e cila që nga Botërori 2014 ka filluar një rënie të ndjeshme.
Lëv nuk pëlqehet më nga tifozët të cilët e shohin si të mbyllur ciklin e tij, siç e tregojnë rzeultatet së fundmi, ndaj Federata Gjermane sot organizoi një mbledhje me trajnerin si dhe menaxherin e ekipit, Olivier Bierhof. Në fund, palët dolën në konkluzionin se Lëv ishte emri i duhur për të vazhduar projektin e federatës për vitet e ardhshme.
Nëpërmjet një komunikate zyrtare, Federata bëri të ditur se kishte besim të plotë te tekniku dhe se ky i fundit do të vazhdojë normalisht punën e tij në drejtim, për të përgatitur turnetë e njëpasnjëshëm.
“Trajneri do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të luajtur një Europian të madh dhe që të përgatitë në mënyrën më të mirë të mundshme turnetë pasardhës që janë Kupa e Botës 2022 dhe Europiani 2024 që do të organziohet pikërisht nga Gjermania”, shkruhej në komunikatën e Federatës Gjermane. /vipsport/