Presidenti i Tiranës, Refik Halili ka folur për “Supersport” sot, ku ka shpjeguar arsyen dhe bisedimet në mbledhjen që bëri para stërvitjes me lojtarët. Numri 1 i bardhebluve nuk la pa përmendur as tifozët dhe mes të tjerash, u shpreh:
“Kam folur edhe para 1 jave, para Skënderbeut është e vërtetë ajo që ka dalë në media. Kemi nevojë për qetësi, kampionati fillon sot dhe çfarë ka ikur, ka ikur nuk kemi ç’të bëjmë më. Koha nuk kthehet mbrapsht kështu që kjo ka qenë fjala që iu kam thënë sot lojtarët, pasi kanë nevojë për një shtysë.
Unë ndoshta kam gabuar në pjesën e menaxhimit, pasi nuk kam vendosur asnjë dollar gjobë. Nuk është për tu lavdëruar, po është një ves i imi dhe vendimi im është kështu.
Shpresoj që çunat ta kenë kuptuar, pasi kemi shumë borxhe ndaj këtij klubi. Iu kërkoj ndjesë tifozëve, të cilët janë tifozeria më e mirë dhe me e shumtë për mua. Ka shumë gjëra për të thënë, por thjesht dua të them se tifozët janë të parët.
Tifozët kanë të drejtë, nuk jemi në një situatë të mirë dhe kemi borxhe ndaj njerëzve që e kanë ndjekur për shumë vite Tiranën.
Unë e kam bindje se kemi një skuadër të mirë. Ardhja e trajnerit Mema ka bërë disi ndryshim, ku ne shikojmë që ekipi shënon, por pësojmë shumë gola. Diçka duhet rregulluar.
Mema është edhe me fat, pasi i janë rikthyer edhe disa lojtarë nga dëmtimi. Kemi vite që nuk fitojmë, por jam i qetë dhe i kam kërkuar të jenë shumë të qetë.
Këto tri pikë do të na bënin mirë të gjithëve, pasi na ndihmon të shkojmë aty ku synojmë. Kampionati është i gjatë, por nuk ka kohë. Nga Partizani fillon kampionati ynë”,- përfundoi Halili./vipsport/