Mesditën e sotme është zhvilluar protesta e paralajmëruar e tifozëve të Vllaznisë para Bashkisë Shkodër. Në orën 13.30, para zyrave të saj në fakt numri i tifozëve që janë grumbulluar nuk ka qenë shumë i madh. Më aktivët sigurisht që kanë qenë tifozët e grupimit “Vllaznit Ultras”, të cilët me pankarta në duar, kanë brohoritur kundër Bashkisë dhe drejtuesve të klubit. “Bashki amatore” dhe “Deri kur me prit, dona Vllazni kampione” kanë qenë pankartat dhe thirrjet kryesore të këtij grupimi. Ndërkohë përveç tyre, në këtë protestë kanë marrë pjesë edhe një grup tjetër jo shumë i madh tifozësh, më të vjetër në moshë që kanë folur edhe për gazetarët. “Nuk e kuptojmë çfarë duan të bëjnë me këtë Vllazni.

Këta drejtues po e shkatërrojnë futbollin shkodran. Këta nuk dojnë Radonjiçin, nuk dojnë Canajn, nuk dojnë Josën, nuk dojnë as Vatën. Kë dojnë këto? Të thuash që Rudi Vata nuk bën, është turp. Por mesa duket këta drejtues e kanë vendos me e shkatërru futbollin shkodran”, deklaroi një tifoz 67 vjeçar- Nexhat Kraja. Pas tij, një tjetër tifoz pikërisht Fatmir Kruja duke folur, shkoi edhe më tej teksa tha: “Dëgjojmë Kujtim Shabën të dalë në TV dhe të flasë bukur për “sheikët” e Skënderbeut. Po ky kush është “sulltani’ i Vllaznisë a? Bën mirë që të hapë krahun se ka sa të duash djem të rinj që mund ta bëjnë atë punë”. Protesta në këtë mënyrë e ka kryer misionin e saj, ndonëse duhet pranuar se pjesmarrja në të la shumë për të dëshiruar. Shumë prej tifozëvë të Vllaznisë duket se më shumë kanë dëshirë të flasin nëpër kafene apo rrjete sociale sesa të dalin e të protestojnë bashkë me të tjerët kur duhet ta bëjnë këtë gjë.

www.shkodrasport.com

“Vllaznit Ultras” duke protestuar sot para Bashkise Shkoder