Ndeshja e djeshme në mes Vllaznisë dhe Bylisit ka patur edhe disa momente interesante të cilat janë evidentuar nga gazeta dhe do të vijnë për ju. Në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” nuk kanë munguar edhe batutat e herëpashershme të tifozëve.
-Pavarësisht motit të mirë dhe çmimit modest të biletës, tifozët shkodranë nuk ishin më shumë se 1500 në këtë ndeshje.
-Nuk mungojnë pëllumbat, që fluturojnë rreth fushës me shiritat kuqeblu. Një traditë tashmë në ndeshjet e Vllaznisë.
-Gol i pësuar, pavarësisht se anulohet, “nxeh” Brdariç, i cili kërkon “llogari” te Bajrami dhe Stojanoviç për pozicionimin e tyre. Trajneri acarohet edhe me Jagon, pasi mbrojtësi vonon ekzekutimin e një rivënieje anësore.
-Nevil Dede replikon me tifozët në tribuna. Tifozët shkodranë i drejtohen atij: “Nevil, boll bërtite!” Kreu i stolit ballshiot u kthehet me fjalët: “Pse u mërzite ti?” Tifozët e ngacmojnë sërish Deden: “Do biesh nga Superliga së bashku me Tiranën”.
-Të pakënaqur tifozët shkodranë me futbollistët e tyre, që kthejnë disa topa pas, duke ulur ritmin e lojës.
-Duartrokitje të shumta për Stojanoviç në momentin kur lë fushën për Repajn. Ovacione edhe për dyshen Mala-Dodaj në momentin e ndërrimit.