Kaosi i krijuar ditën e djeshme në sportelet pranë stadiumit “Loro Boriçi” sa i takon kthimit të biletave Shqipëri- Izrael, sot ka marrë fund. Të gjithë ata që kanë dashur t’i kthejnë biletat, e kanë bërë një gjë të tillë. Një ditë më parë njerëzit në fakt kanë shfaqur zemërimin e tyre në lidhje me mosmarrjen e një përgjigje nga këto sportele, madje duke akuzuar edhe Federatën e Qeverinë se gjithçka ka qenë e qëllimshme me Shkodrën dhe shkodranët. Por ditën e sotme, gjërat kanë qenë krejt ndryshe. Që nga ora 10.00 dy sportele janë hapur pranë stadiumit “Loro Boriçi” për të pritur tifozët që do të konvertonin biletat e ndeshjes Shqipëri- Izrael dhe do të qëndrojnë të hapur deri në orën 12 të natës.

Sipas punonjësve të firmës që merret me biletat, shumica e tifozëve, rreth 90 për qind e tyre, duan që të marrin paratë e biletave të blera sepse nuk kanë dëshirë të shkojnë në Elbasan për të parë ndeshjen të shtunën, ndërsa vetëm 10 për qind e tyre marrin biletat e reja në mënyrë që të mos e humbasin këtë ndeshje. E rëndësishme është që problemi dhe kaosi i krijuar me ndryshimin e vendit se ku do të zhvillohet kjo ndeshje, mori fund. Sportdashësit shkodranë edhe këtë herë kur patën mundësi që të blejnë një biletë për të parë kombëtaren shqiptare, nuk e patën shansin t’i shohin në fushë të besuarit e De Biazit. E rëndësishme tashmë është që ata të fitojnë ndaj Izraelit.
© shkodrasport.com