Duke qenë se ka mbetur i vetmi futbollist shkodran në dispozicion të stafit teknik të kombëtares shqiptare për ndeshjen e së shtunës me Skocinë (ngaqë Hysaj është i skualifikuar me kartona), tifozët shkodranë e duan ta kenë në fushë Bekim Balajn.
Sulmuesi shtatëlartë që është rritur në stadiumin “Loro Boriçi” teksa fillimet e karrierës i ka me Vllazninë aty, pëlqehet shumë nga tifozët shkodranë dhe në fakt, ata janë një shans për të. E ka provuar në ndeshjen e para dy viteve me Maqedoninë kur shënoi golin e fitores dhe mbase mund ta bëjë një gjë të tillë edhe këtë herë ndaj Skocisë.
Tifozët shkodranë që pritet të jenë të shumtë në numër në shkallët e stadiumit, kanë dëshirë ta shohin si titullar në fushë Balajn dhe prandaj i bëjnë një kërkesë publike trajnerit Panuçi për t’ua plotësuar këtë dëshirë.
Në fakt edhe vetë trajneri i kombëtares tonë nuk ka shumë alternativa në dispozicion dhe kjo mund të realizohet. Pat ndodhur edhe 13 vjet më parë kur në Shkodër luhej Shqipëri- Rusi.
Tifozët shkodranë kërkuan që në fushë të ishte Elvin Beqiri në atë ndeshje dhe ish- trajneri Brigel ua plotësoi dëshirën. Në fakt edhe Beqiri nuk zhgënjeu. Pas asaj ndeshje, luajti edhe për disa vite të tjera me fanellën kuqezi duke treguar vlerat e tij.
© shkodrasport.com