Tek Vllaznia e gjithë vëmendja është përqëndruar aktualisht tek gjetja e trajnerit të ri. Në opinionin sportiv në ditët e fundit që pas largimit të trajnerit Goçe Sedloski, janë përmendur kryesisht shtatë kandidatura për pankinën kuqeblu.

Pikërisht, emrat e lakuar për postin e trajnerit të Vllaznisë në sezonin e ri kanë qenë të Ardian Nuhiut, Armando Cungut, Edi Martinit, Emiliano Çelës, Ernest Gjokës, Orges Shehit dhe Thomas Brdariç.

Megjithatë, në fakt gjatë ditës së sotme, tifozë të ndryshëm të Vllaznisë kanë dhënë një tjetër mendim për trajnerin që do të preferonin, teksa kuptohet që kjo është thjesht një dëshirë e tyre.

Kështu, tifozët e ndryshëm kuqeblu theksojnë se një shkodran i mirënjohur si Samuel Nikaj nuk duhet lënë aspak mënjanë dhe duhet marrë në konsideratë emri i tij për drejtimin e Vllaznisë, në një kohë që ndoshta po lakohen disa emra që mund të kenë më pak eksperiencë se sa Nikaj.

Në fakt, ky është thjesht një mendim i disa tifozëve, të cilët sigurisht që kanë thënë fjalën e tyre, pra duke preferuar një emër si Samuel Nikaj. Megjithatë, ai që vendos është presidenti Alban Xhaferi, njeriu që mendon për zgjidhjen më të mirë të mundshme për Vllazninë, në bashkëpunim edhe me drejtorin sportiv Elvis Plori.
Maringlen ZHIVANI