Një tifoz i vërtetë nuk e mbështet skuadrën vetëm kur fiton, por edhe kur është në krizë.Me këtë thirrje të ndërgjegjies së mbështetësve, grupimi ultras i Korinthias, ka nisur një fushatë për ta shpëtuar klubin e famshëm brazilian nga gremina.

Në fakt, ekipi nga Sao Paulo po kalon një moment të vështirë financiar dhe rrezikon seriozisht falimentin.Kjo për shkak të një borxhi të madh të akumuluar vitet e fundit.

Sipas mediave braziliane, në vitin 2018, klubi mori një borxh prej 700 milion real, ose 115 milion dollarë, që u përdorën për ndërtimin e stadiumit të ri.

Por llogaritë e drejtuesëve duket se nuk ishin bërë mirë dhe Korinthias përballet me situatën më të vështirë, në 110 vitet e historisë së saj.

Për këtë arsye, në fushë kanë zbritur tifozët, që me fushatën e tyre kërkojnë të mbledhin këtë shifër të rëndësishme për të paguar borxhin dhe për të shpëtuar klubin.

Korinthias është një nga skuadrat më të mëdha dhe fituese në historinë e futbollit brazilian.Ajo numëron 30 tituj në kampionatin Paulista, 7 trofe të kampionatin brazilian. Po ashtu, ka fituar një herë Kupën Libertadores dhe 2 herë të tjera Botërorin për Klube. /abcnews/