Tifozët e Manchester United kanë kërkuar që një yll i ekipit të largohet nga klubi pas asaj që kanë parë në fushë në ndeshjen kundër Chelsea-t. “Djajtë e Kuq” janë mundur 4-3 me përmbysje kundër Chelsea-t në Premier League. United ishte në disavantazh të dy golave në Stamford Bridge, por arriti ta përmbyste rezultatin në 3-2.

Megjithatë, Blutë arritën të merrin tri pikët falë dy golave në minutat shtesë të Cole Palmer. Një rezultat që i ka dhënë një goditje të rëndë shpresave të United për t’u kualifikuar në edicionin e ardhshëm të Champions League.

Skuadra e Ten Hag është aktualisht në vendin e gjashtë në renditje, nëntë pikë larg vendit të pestë kur kanë mbetur edhe tetë ndeshje për t’u luajtur.Alejandro Garnacho dhe Antony kanë bërë paraqitje shumë të mirë mbrëmjen e djeshme, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për disa nga lojtarët e aktivizuar nga Ten Hag në pjesën e dytë.

Lojtari që ka përfunduar në shënjestrën e tifozëve ka qenë Marcus Rashford, pas një video të publikuar në rrjetet sociale që tregonte sulmuesin duke mos bërë shumë përpjekje për të fituar topin nga Chelsea teksa United kërkonte golin e barazimit.

“Njerëzit duket se nuk e kuptojnë. Është gjuha e trupit, ne po mundohemi të fitojmë një ndeshje dhe ky është numri 10 i yni. Rashford largohu nga klubi”, ka shkruar një tifoz. Shumë tifozë të tjerë kanë qenë dakord.

“Ecën në fushë sikur të kishte luajtur nga minuta e parë”, ka qenë një koment tjetër. “Shikoni si shëtit në fushë. Një paraqitje sa për të marrë rrogën”, ka qenë një tjetër koment.

Të tjerë kanë aluduar se kjo sjellje e Rashford mund të ketë një ndikim negativ te shokët e tij të skuadrës. Një tifoz ka shkruar: “Ai i heq energjinë të gjithë të tjerëve”./telesport/