U përfol kohë më parë si një nga lojtarët që preferohet në kryeqytet, por më pas zërat për Ardit Krymin u “shuan”.
Mesfushori i talentuar i Vllaznisë shihet si futbollist i së ardhmes. Zbritja e Vllaznisë në një kategori më poshtë ka rritur shanset që ai të largohet nga kuqeblutë.
Menjëherë në sulm për shërbimet e tij janë futur dy ekipet e kryeqytetit. Burime të sigurta pranë lojtarit bëjnë me dije për newsport.al që Tirana dhe Partizani kanë shfaqur interes për 22-vjeçarin.
Madje ata kanë gati ofertat e tyre për mesfushorin shtatshkurtër. Por, së fundmi në valle është futur edhe klubi i Teutës.
Bëhet me dije që durrsakët kanë avancuar me bisedimet dhe nuk do të jetë çudi nëse ai firmos me ekipin e Bledi Shkëmbit. Të njëjtat burime tregojnë që Krymi po pret fillimisht drejtuesit shkodranë.
Ai nuk dëshiron ta braktisë ekipin kuqeblu në ditët më të vështira. Nëse oferta në drejtim të tij do të jetë e kënaqshme, gjasat janë që mesfushori të qëndrojë në Shkodër. Megjithatë ende s’ka pasur asnjë bisedë me drejtuesit e Vllaznisë. /Newsport/