Artan Mërgjyshi ka folur rreth Superiores në MCN TV. Tekniku shqiptar shikon 2 ekipe si më komodet dhe me më shumë stabilitet.

Trajneri i mirënjohur shqiptar analizoi situatën e kampionatit në një transmetim live në emisionin e pasdites. Mërgjyshi deklaroi se Egnatia dhe Vllaznia janë më të sigurta në renditjen lartë të tabelës dhe shihen si më të qëndrueshme.

Ish-i i Vorës flet edhe rreth Partizanit apo Elbasanit.

“Egnatia është treguar skuadër stabël, që po rritet nga java në javë. Skuadrat e tjera kanë një rënie nga janari e mbrapa.

Partizani pritej në këto luhatje sepse të ardhurit e rinj nuk e kanë konfiduar akoma skuadrën. Elbasani nuk arriti dot t’i bashkohej katërshes së parë dhe tani është në ethet e luftës për mbijetesë.

Edhe atje është një kampionat më vete. Ndër skuadrat e tjera do veçoja Laçin. Është skuadra që luan në mënyrë më dinamike. Ka lojtarë të rinj që janë shumë premtues.

Tirana do të shpëtojë këtë sezon. Rikthimi i Shkëmbit e ka ndryshuar disi situatën. I shpëtoi kjo javë. Janë 11 ndeshje për t’u luajtur, çdo gjë mund të ndodhë.

Diferencën e shoh më tepër tek Egnatia. Përpos rezultateve po prodhon edhe lojë.

Goditjet e merkatos së janarit ishin të forta, janë blerje që do t’i kishin zili të tjerët. Janë lojtarë që kanë shumë konkurrencë dhe alternativa në stol.

Egnatia dhe Vllaznia janë skuadrat më me stabilitet”, u shpreh Mërgjyshi.