Beselidhja ne basketboll per meshkuj fitoi dje ndaj Tiranes duke e nxjerre thuajse jashte loje per kalimin ne fazen play-off. Por kjo gje nuk i ka pelqyer trajnerit te bardhebluve Erkand Karaj qe pas ndeshjes ka akuzuar lezhjanet per pazare ne dem te tyre dhe ne favor te Vllaznise. Ne lidhje me keto akuza, kane reaguar lezhjanet.
Deklaratë e Shoqatës Beselidhja Eagles Basket:
Pas deklaratave të trajnerit të Tiranës, Erkand Karaj, pas ndeshjes Beselidhja – Tirana, ku ai akuzoi ekipin e Beselidhjes, Federatën dhe arbitratrët për pazare në dëm të ekipit të Tiranës, konkretisht duke akuzuar Beselidhjen se toleroi ndeshjen me Vllazninë dhe mundi Tiranën për ta nxjerrë nga play-off-i, Shoqata Beselidhja Eagles Basket del me këtë deklaratë:
Shoqata Beselidhja Eagles Basket nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e pazareve ose tolerimeve të ndeshjeve, ashtu siç janë mësuar disa ekipe, ku paaftësinë e tyre për të ndërtuar dhe menaxhuar një ekip dhe për të arritur rezultate pozitive e faturojnë te ekipet e tjera. Trajnerin e Tiranës, i cili është gjithashtu trajner i ekipit kombëtar, Erkand Karaj, nuk e mbajmë mend ta kemi parë në ndonjë ndeshje të Beselidhjes për ta parë live, dhe nuk dimë ku e ka parë ndeshjen me Vllazninë.
Gjithashtu, duam t’i bëjmë të ditur trajnerit Erkand Karaj se, sipas llogarive matematikore, Beselidhja e kishte siguruar vendin e parë që në fazën e tretë të kampionatit, dhe po të merreshim me pazare e tolerime ndeshjes në fazën e katërt, Tirana do të ishte sot e rënë nga kategoria. Nëse do të kishit analizuar 12 humbjet e Tiranës, 8 prej të cilave ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë (Teuta, Vllaznia, Apolonia dhe Kamza), pa përfshirë këtu 4 humbjet me Beselidhjen, do të kishit arritur rezultate më të mira.
Qurravitje të tilla jemi mësuar të dëgjojmë nga trajneri Erkand Karaj çdo herë që humbet me Beselidhjen, por mendojmë se akuzat ndaj FSHB dhe arbitrave nuk janë të përshtatshme nga një trajner i ekipit kombëtar.