Vllaznia e futbollit të femrave është thuajse edhe zyrtarisht kampione e Shqipërisë edhe për këtë sezon. Titull ky që do të jetë i 9-ti rradhazi për të. Paraditen e sotme ajo duhej të ndeshej me njërën prej dy rivaleve të këtij sezoni, ekipin e Tiranës, por ky i fundit nuk është paraqitur fare në ndeshje.
Ka ndodhur kështu në orën 11.00 të paradites së sotme kur në fushën sportive “Reshit Rusi” duhej të ishte luajtur takimi në mes Vllaznia dhe Tiranës, i vlefshëm për javën e 19-të të kampionatit.
Në fushë është paraqitur vetëm ekipi i Vllaznisë si dhe arbitrat e ndeshjes. Këta të fundit kanë zbatuar rregulloren duke pritur ekipin mik aq sa duhej dhe më pas, bashkë me futbollistet e Vllaznisë kanë zbritur në fushë.
Arbitrja kryesore Emanuela Rrusta ka bërë detyrën duke vërshëllyer për startin e kësaj ndeshje që në fakt nuk ndodhi. Si rrjedhojë, të gjithë më pas i janë drejtuar sërish dhomave të zhveshjes sepse çdo gjë u mbyll këtu.
Vllaznia pret tashmë vendimin e Komisionit të Disiplinës për t’ia dhënë fitoren në tavolinë 3-0. Një fitore që në fakt ajo nuk e donte kështu, por vajzat bardheblu dhe drejtuesit e tyre duket se kanë menduar këtë zgjedhje si më të mirën e mundshme.
Në fazën e parë ata janë mundur brenda në kryeqytet 8-0 nga Vllaznia dhe sot e kishin të qartë se i priste një tjetër “tërmet”, pse jo edhe në shifra më të thella dhe prandaj kanë preferuar ta humbasin ndeshjen në tavolinë vetëm 3-0.
Vetëm kjo mund të jetë arsyeja sepse nuk ka tjetër. Për më tepër që kemi të bëjmë me një ekip
pretendent i cili deri sot mbante vendin e dytë të renditjes.
Pavaresisht fitores se mundshme 3-0 ndaj Tiranes sot, Vllaznise i duhet te luaje serish edhe javen e ardhshme per ta siguruar edhe matematikisht titullin e 9-te kampion rradhazi./SHKODRA-SPORT.COM/