Tirana vuan përballë Kastriotit, por në Selman Stermasi ia del të lejë pas “makthin” e pesë barazimeve radhazi duke fituar me rezultatin 2-1. Bardheblutë, edhe pse e nisën ndeshjen në kërkim të menjëhershëm të golit, e panë veten në disavantazh, kur Devid u gjend i lirë në zonën e tyre pas nja harkimi në zonë.

Megjithatë, vendasit reaguan dhe sërish ishin në epërsi territoriale, ndërsa golin e barazimit e gjetën në minutën e 35 me kapitenin Idriz Batha, i cili nga fare pranë mposhti portierin Isli Hidi.

Në pjesën e mbetur të pjesës së parë, nuk pati zhvillime të reja dhe ajo u mbyll në barazim. Por, kryeqytetasit nuk mund të pajtoheshin me rezultatin dhe gjashtë minuta pas fillimit të fraksionit të dytë, Muçi i gjendur përballë Hidit nuk gabon.

Talenti i kampionëve shënoi golin e pestë të sezonit, gol që rezultoi edhe i fitores për Tiranën, teksa më këto tre pikë ekipi i drejtuar nga trajneri Nevil Dede shkon në kuotën e 20 pikëve në vendin e katërt. Sakaq, Kastrioti mban vendin e gjashtë me 17 pikë. /VipSport/

Tirana-Kastrioti 2-1