Tirana e ka lënë pas atë disfatë me Kukësin javën e kaluar dhe është rikthyer sërish te fitorja, kësaj radhe duke mundur në transfertë Egnatian me rezultatin 1-2, në sfidën e vlefshme për javën e 20-të të Superiores.

Sfida nisi mjaft mirë për bardheblutë, të cilët gjetën golin me Përgjonin që në sekondat e para. Gjithsesi reagimi i rrogozhinasve nuk zgjati, pasi në minutën e 10’ ishte Daumena që barazoi shifrat përkohësisht.

Në minutën e 66’, Hasani arriti të realizonte në gol një penallti për të kaluar sërish në avantazh. Reagimet nga rrogozhinasit nuk munguan, por Visar Bekaj u tregua i vëmendshëm në të shumtën e rasteve duke mos pësuar më gol.

Në minutat shtesë, Bekaj u desh të linte bardheblutë me 10 lojtarë pas një dëmtimi dhe në portë u fut Përgjoni, i cili u bë protagonist me një pritje deçizive.

Kështu Tirana vazhdon të qëndrojë në vendin e parë në renditje me 37 pikë, ndërsa për Egnatian është ndeshja e pestë radhazi pa fitore në Superiore, duke qëndruar në vendin e 5-ë me 27 pikë.

EGNATIA 1-2 TIRANA

Duamena 10′ / Përgjoni 1′, Hasani (P) 66′