Besnik Çela, delegati i ndeshjes Flamurtari-Tirana 2-2, ka deklaruar për “Panorama Sport” se futbollisti i Flamurtarit, Ariel Muçollari, është aktivizuar sipas të gjitha rregullave.
Ai shpjegon me detaje gjithçka ka ndodhur dhe pohon se është vënë në dijeni për ndryshimin që klubi vlonjat ka bërë pak minuta para ndeshjes.
Në momentin që kanë hyrë gjyqtarët brenda nga nxehja, ka ardhur zyrtari i Flamurtarit, Ardi Ciruna, i cili i ka kërkuar vëzhguesit të ndeshjes, Prek Pjetrushit, që të hynte tek arbitrat, pasi donte të bënte një ndryshim në protokoll. Pjetrushi i ka thënë se nuk mund të hynte në dhomat e arbitrave, por i ka bërë me dije se do të njoftonte gjyqtarin e katërt të dilte jashtë dhomave dhe të komunikonte me të.
Po më pas, çfarë ndodhi?
Më pas doli jashtë gjyqtari i katërt Orlando Kuka bashkë me protokollin origjinal dhe është shtuar në protokoll edhe futbollisti Muçollari, për të cilin Flamurtari kishte planifikuar që ta ndryshonte.
Por duke qenë vetë prezent aty, e kam dëgjuar edhe arbitrin Orlando Kuka që t’i thotë zyrtarit të Flamurtarit se duhej t’ua shpërndante mediave protokollin e ndryshuar. Pastaj, se çfarë ka bërë zyrtari i Flamurtarit me mediat, kjo nuk është as kompetencë e imja ta vlerësoj dhe as përgjegjësi.
A është e rregullt që të bëhet ky ndryshim në protokollin e ndeshjes pak minuta para se ajo të nisë?
Po, është gjithçka konform rregullave. Ka lojtarë që pësojnë dëmtime pas nxehjes ose kanë shqetësime të tjera dhe çdo klub ka ende mundësi ta ndryshojë protokollin, për aq kohë sa skuadrat ende nuk kanë dalë në fushë.