Tirana ka skuadrën me formacionin me të shtrenjtë në krahasim me Vllazninë në klasiken shqiptare, ndërsa kuqeblutë kanë ekipin më të shtrenjtë në përgjithësi.
Në prag të klasikes mes Vllaznisë dhe Tiranës në një analizë të zhvilluar për shtrenjtësinë e dy skuadrave, ekipi i Shehit ka vlerën më të madhe si formacion, ndërsa në tërësi, janë shkodranët që peshojnë më shumë në “kandarin” e Superiores.
FORMACIONI – Formacionin më të shtrenjtë në klasike e ka Tirana me vlerën 3.2 milionë euro, ndërkohë që Vllaznia ka vlerë 2.625 milionë euro. Një diferencë e madhe. Duhet pranuar, se Vllaznia ka shumë lojtarë me vlerë që nuk ia aktivizon, duke filluar nga Alivoda, Kaina, Mala që është i dëmtuar apo lojtarë të tjerë. Bardheblutë po kështu aktivizojnë më të mirët dhe tre prej lojtarëve vlejnë të paktën 400 mijë euro.
MË TË SHTRENJTIT – Tirana ka lojtarët më të shtrenjtë mes dy ekipeve. Bekaj, Lushkja, Hasani vlejnë 400 mijë euro. Të tre janë lojtarë titullarë. Nga ana tjetër, te Vllaznia lojtari më i shtrenjtë është Jonuzi. Ai vlerësohet 325 mijë euro. Pjesa tjetër e lojtarëve është më poshtë se lojtarët e Tiranës. Vllaznia ka 15 lojtarë me vlerë mbi 200 mijë euro, ndërsa Tirana ka 14.
KLUBI – Në të vërtetë mes dy klubeve ka një rivalitet se cila është skuadra më e shtrenjtë në këtë sezon. Në këtë moment që flasim Vllaznia vlen më shumë në tërësi se skuadra e Tiranës. Kuqeblutë janë të dytit në renditjen e përgjithshme të skuadrave më të shtrenjta me 4.98 milionë euro vlerë totale. Nga ana tjetër, Tirana vlen më pak. Ekzaktësisht skuadra vlerësohet 4.7 milionë euro.
Për t’u shënuar se vetëm në janar, Tirana ka larguar një mori futbollistësh që kishin vlera të larta në “transfermarkt”, si rasti i Xhixhës, Limajt apo ndonjë tjetri. Bardheblutë, së bashku me Partizanin, janë dy skuadrat që kanë grumbulluar më shumë para nga shitja e lojtarëve në merkaton e janarit.