Nga Endri CINARI

Sot do luhen ndeshjet e mbetura të javës së 17-të në Superiore. Ndeshja kryesore që patjetër do tërheqë vëmendjen e sportdashësve është “klasikja” e futbollit shqiptar mes Tiranës dhe Vllaznisë. Si bardheblutë ashtu edhe shkodranët kanë pretendimet e tyre këtë sezon.

Ku tek kuqeblutë duan të krijojnë një vazhdimësi dhe stabilitet, që ka munguar përgjatë këtij sezoni. Por ndaj Tiranës nuk do jetë aspak e lehtë dhe në një moment delikat, ku stoli i Ahmatajt po “tundet”. Megjithatë ish-mbrojtësi duket se ka hartuar edhe formacionin që do e nisë nga minuta e parë klasiken e Shqipërisë.

Kështu duke nisur nga porta ku titullar pritet Abdullahu, një zbulim i këtij sezoni në kampionat. Në mbrojtje nga e djathta pritet Doka e ndërsa majtas, Përgjoni. Në qendër të repartit të prapavijës priten Najdovski dhe Hoxhallari. Në mesfushë si titullarë priten Meta, Deliu dhe Lushkja.

Në sulm në mungesë të “yllit” të ekipit, Hasani pritet të jetë Kaina. Ish-sulmuesi i Vllaznisë që pritet të ketë mbështetjen e Abazajt dhe Latifit nga krahët. Takimi do nisë në orën 13:30, në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe do jetë i parafundit për të dy skuadrat në vitin 2023.