Vllaznia luan sot në orën 13:45 në Rrogozhinë në kuadër të javës së 8-të të Superligës kundër Egnatias. Një ndeshje që në kampionat nuk i gjen kuqeblutë në humorin më të mirë të mundshëm. Kjo për shkak të dy humbjeve rradhazi me Kukësin dhe Tiranen. Por, sot kundër rrogozhinasve patjetër që objektiv është vetëm fitorja.

Kjo për shkak të vetë objektivave që shkodranët kanë përcaktuar që në fillim të sezonit, që është fitimi i titullit kampion. Dhe me një Tiranë që po merr fitore të njëpasnjëshme dhe që nuk po ndalet në kampionat, 3 pikëshi është e vetmja rrugë që fut Vllazninë në garën për titull.

Aktualisht Tirana kryeson me 20 pikë, e shkëputur 11 nga Vllaznia. Dhe nëse diferenca do qëndrojë e tillë, bardheblutë do jenë të vështirë të kapen. Prandaj për të besuarit e Brdaric, fitorja është i vetmi opsion sot. Por, edhe Egnatia nuk është një ekip aq i lehtë për tu mposhtur.

Ekipi i drejtuar nga Gugash Magani ka shfaqur një futboll të mirë deri më tani, ku ka grumbulluar edhe 9 pikë, po aq sa Vllaznia. Gjithashtu në rradhët e tyre ka edhe futbollistë me shumë eksperiencë në Superiore si: Shtubina, Imeri, Telushi, Krasniqi apo edhe Çyrbja. Dueli pritet të jetë interesant, e në fund të tij do shohim se kush do gëzojë sot.
Endri ÇINARI