Klasikja e futbollit shqiptar, Tirana – Vllaznia, ka humbur nga shkëlqimi i dikurshëm. Tirana po provon shijen e Kategorisë së Parë, ndërsa Vllaznia ka disa vite që “flirton” me të. Ndeshja e fundit e sezonit të kaluar mes tyre vendosi edhe rënien e Tiranës në atë barazim pa gola në “Loro Boriçi”. Për ironi të fatit, këto dy skuadra do të ndeshen edhe në Kupën e Shqipërisë.“Beteja” në Kupën e Shqipërisë nuk do të jetë e vetmja mes tyre, pasi edhe merkatoja e janarit do të sjellë “xixa” mes të dy klubeve. Tirana pëlqen lojtarin e Vllaznisë, Ardit Krymi. Mesfushori konsiderohet si një nga talentet më të mirë që ka nxjerrë Shkodra në vitet e fundit, pjesëtar edhe i Shpresave U-21. 21-vjeçari prej 4 sezonesh është lojtar lider dhe titullar i padiskutueshëm i skuadrës shkodrane. Numri 6-të i Vllaznisë ka tërhequr vëmendjen e të gjithë kampionatit dhe konsiderohet edhe si një ndër shkatërruesit më të mirë të Superiores.
“Eduasportin.com” zbulon se bardheblutë e pëlqejnë së tepërmi dhe kërkojnë ta afrojnë në skuadër. Kontaktet mes tyre dhe Krymit ka pasur, madje deri aty sa kanë nisur ta joshin edhe me rrogën që do të ketë. 24 herë kampionët e Shqipërisë i kanë ofruar 5 milionë lekë të vjetra shkodranit në muaj, dyfishi i asaj që merr te Vllaznia.
Mundësia që një lëvizje e tillë të kryhet është e vështirë, pasi Krymi ka kontratë me Vllazninë dhe Tirana nuk do të shpenzojë për kartonin e tij. Megjithatë, dëshira e futbollistit është të lëvizë nga Shkodra dhe kontrata që i ofron Tirana është e majme. I vetmi problem për të qëndron pjesëmarrja në Kategorinë e Parë. Burime pranë klubit bardheblu bëjnë me dije për EDS-në se lojtari i ka lënë derën hapur Tiranës, por në të njëjtën kohë u ka thënë atyre se po pret edhe oferta të tjera nga jashtë dhe brenda vendit.