Klubi I futbollit Tirana I ka bërë një ofertë zyrtare Armando Cungut për të qenë ai trajneri I ardhshëm I skuadrës së tyre. Pas zhurmës së bërë në media në lidhje me këtë çështje, ka ardhur edhe koha e bisedimeve mes palëve. Ka ndodhur kështu pasditen e së hënës kur ish- trajneri I Kukësit ka udhëtuar drejt kryeqytetit për të takuar presidentin Ndriçim Babasi. Lajmi bëhet I ditur nga vetë Cungu I cili për SHKODRA SPORT do të thoshte: “Në fakt ka disa ditë që emri im qarkullon si kandidaturë për trajner të Tiranës por unë vetëm pasditen e së hënës kam patur kontaktet e para me drejtuesit e saj. Ka qenë presidenti Babasi që më kishte telefonuar dhe më kishte kërkuar të uleshim e të bisedonim dhe unë për ta respektuar atë kam qenë në Tiranë për ta takuar dhe për të dëgjuar ato se çfarë mendonte ai. Presidenti I Tiranës më kërkoi të merrja përsipër drejtimin e Tiranës dhe nxjerrjen e skuadrës nga gjendja ku ndodhet”. Kjo do të thotë tashmë se oferta është bërë. Megjithatë Cungu duket I pavendosur për t’I thënë “po” kësaj oferte dhe këtë e shpreh edhe në fjalët e mëposhtme kur shprehet: “Për çdo trajner është privilegj të drejtojë Tiranën por në fakt unë nuk I thashë menjëherë “po” presidentit. Unë kam disa parime si trajner dhe natyrisht që nuk mund të pranojë çdolloj oferte që vjen vetëm e vetëm që të jem në tregun e trajnerëve e të mos mbetem pa punë. Në kushte të tilla, pasi dëgjova ato çfarë ofronte dhe çfarë kërkonte presidenti I klubit bardheblu, I kërkova të mendohem dhe ramë dakord që pas dy ditësh do t’I kthej përgjigje”. 40 vjeçari shkodran nuk bën të ditur nëse I është kërkuar të marrë menjëherë drejtimin e Tiranës apo në fund të ndeshjeve të këtij viti. Gjithsesi dy ditët e kthimit të përgjigjes kaluan dhe sot do të jetë momenti I thënies “po” ose “jo” nga ana e tij. Nga çfarë lë të kuptohet vetë Cungu, më shumë do të jetë kjo e dyta. “Unë për të marrë përsipër një punë, më parë bazohem tek projekti që kanë drejtuesit e klubit. Me gjithë respektin që kam për emrin e Tiranës dhe kontributin e drejtuesve të saj, nuk është se projekti I tyre aktual më ka bindur shumë dhe me shumë të ngjarë nuk do ta marrë përsipër drejtimin e kësaj skuadre. Megjithatë vendimin do t’ia bëj të ditur në kohën e duhur presidentit Babasi”- ka thënë trajneri shkodran.
Shkëndia e Tetovës. Por nëse Cungu është në dyshim për të ardhmen e tij si trajner I Tiranës, një arsye më shumë është një tjetër ofertë që I ka ardhur atij. Këtë herë nga Maqedonia. Vetë ai nuk ka patur dëshirë t’ia thotë emrin por është mjaftuar me fjalët: “Ka gati një muaj që një nga ekipet më të mira të Maqedonisë po tenton të më mbushë mendjen për të marrë drejtimin e tij. Jemi ende në bisedime. Bëhet fjalë për një ofertë shumë të mirë megjithatë edhe për të ende nuk kam vendosur”. Nga sa merret vesh, duket se kemi të bëjmë me Shkëndinë e Tetovës. Skuadra shqiptare nuk po kalon momente të mira sivjet në kampionatin e këtij vendi dhe kohët e fundit në krye të saj kanë ardhur biznesmenë të fuqishëm të cilët duan ta ringrenë sërish atë në nivele të larta prandaj dhe kanë programuar si trajner Armando Cungun megjithatë ai ende nuk ka vendosur.
Kombëtarja U-21. Tirana, Shkëndia e Tetovës por edhe….. kombëtarja U-21. Në media ka ditë që qarkullon një ide e tillë për zëvendësimin e Skënder Gegës me trajnerin shkodran. Megjithatë vetë ai nuk ka asnjë sinjal zyrtar. Cungu e pranon se e kanë telefonuar shumë njerëz për ta pyetur në lidhje me këtë gjë por për momentin ai nuk ka asnjë dijeni për këtë çështje. “Ka rreth një muaj që njerëz të ndryshëm, gazetarë e shokë të mi trajnerë, që më telefonojnë dhe më pyesin për këtë gjë por në fakt nuk ka asnjë konkrete. Unë marëdhëniet me presidentin Duka I kam shumë të mira madje ai ka qenë I pari që pas kalimit të çdo turi të Kupave të Europës me Kukësin gjatë verës, më dërgonte mesazh dhe më uronte për suksesin e arritur. Por vetëm kaq. Asgjë më shumë prandaj nuk mund të them më shumë për këtë çfarë thuhet për problemin e kombëtares Shpresa”- ka thënë ish-trajneri I Kukësit.
Gjergj KOLA