Janë zhvilluar ditën e sotme ndeshjet e javës së 13 të Kategorisë Superiore U21. Bie në sy triumfi i thellë i Bylist ndaj Tiranës. Ballshiotët triumfuan me shifrat 1-5, teksa mallakastriotët e mbyllën pjesën e parë me shifrat 0-2, falë dy golave të Spahiut .
Ndërkohë, në fraksionin e dytë, Tirana reagon falë realizimit të Malos, megjithatë miqtë shënojnë edhe tre herë të tjera për të mos i diksutuar tre pikët.
Pas këtij rezultati, Tirana është në vendin e nëntë me 17 pikë, ndërsa Bylis ruan vendin e parë me 33 pikë, një pikë më shumë se Laçi.
Këta të fundit, gjithashtu fituan ndeshjen e tyre duke qenë se mposhtën 0-5, Dinamon. Blutë nuk i rezistuan euforisë së kurbinasve, teksa heroi i tyre ishte Prengaj me katër gola, ndërsa në fund shënoi edhe Selmanaj. Pas kësaj ndeshje, Dinamo renditet në vendin e pestë me 20 pikë.
Sakaq, Kukësi është mposhtur në transfertë me rezultatin 2-1 nga Apolonia. Verilindorët e nisën më mirë pasi kaluan të parët në avantazh me anë të Gjonit, por vendasit barazuan shpejt me Andonin dhe në pjesën e dytë realizuan me Merkurin golin e fitores.
Pas këtij suksesi, fierakët janë në vendin e gjashtë me 19 pikë, ndërsa në vendin e katërt, Kukësi është me 23 pikë. /VipSport/
Ndeshjet:
Apolonia-Kukësi 2-1
Tirana-Bylis 1-5
Dinamo-Laçi 0-5
Vllaznia-Teuta 0-0
Kastrioti-Akademia e Futbollit 3-1