Ndeshja e sotme që do të luhet në orën 18.00 në stadiumin “Selman Stërmasi” në mes Tiranës dhe Vllaznisë pritet me interes sepse konsiderohet ndeshja më e rëndësishme e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Padyshim që duke qenë e tillë pritej ndoshta që Federata të përzgjidhte edhe arbitrat e saj më të mirë për ta drejtuar. Të paktën njërin nga tre ato që kanë stemën e FIFA-s, por në fakt institucioni i futbollit shqiptar nuk ka dashur t’i japë kaq shumë rëndësi mesa duket.

Për këtë arsye, ai ka vendosur që drejtimin e saj t’ia besojë një treshje arbitrash nga qyteti i Lushnjës. Pra, kryesor i këtij takimi do të jetë Laver Alla ndërkohë që ndihmësat e tij do të jenë po ashtu dy lushnjarë të tjerë, Devis Korreshi dhe Marjus Qose. Po nga ky qytet do të jetë edhe arbitri i katërt, Skerdi Greca ndërsa vëzhgues i arbitrave në ndeshjen e sotme do të jetë tiranasi Kastriot Xhaferraj. Sakaq në rolin e delegatit do të jetë vetë shefi i Sektorit të Garave pranë FSHF-së Lysien Nurishmi. Padyshim që vëmendja e gjithë opinionit sportiv do të jetë e përqendruar tek kjo sfidë sot pasdite, në rradhë të parë për të shikuar nëse vërtetë Tirana ka “aromë superioreje” apo jo dhe e dyta, për të parë reagimin e Vllaznisë nëse do të vazhdojë serinë e rezultateve pozitive.

© shkodrasport.com