Në bisedën e trajnerit Brdariç dhe dy gazetareve të vogla shkodrane, 10-vjeçares Onesa Nikshiqi dhe 13-vjeçares Hea Lohja në “RTSH Shkodra|, janë përfshirë Balaj, Gurishta, Qarri dhe Dodaj.VLLAZNIAÇfarë do të kishit dëshiruar që trajneri ta përmirësojë?
Gurishta: Ka shumë gjëra pozitive. Do doja të jetë pak më i ftohtë në stol, ka raste që është shumë emocional.
Balaj: Unë do thosha që duhet të mësojë më shumë gjuhën shqipe. Brdariç është tipik gjerman, korrekt, i përpiktë. Çdo ditë i motivuar.
Të shohim sa e njihni trajnerin. Cili është ushqimi i tij i preferuar?
Balaj: Nëse pyet për ushqimin që ka dëshirë për lojtarët, janë pastat.
Të pëlqejnë pastat?
Brdariç: Po. Për lojtarët. Të ushqyerit është një nga pjesët më të rëndësishme. Na duhen karbohidrate dhe pastat kanë shumë karbohidrate.
Kush është këngëtari juaj i preferuar, ose grupi muzikor që preferoni?
Brdariç: Më pëlqen më shumë muzika tekno, muzika “house”. Ndonjëherë dua muzikë pak më të shpejtë, në mbrëmje dua muzikë më të qetë.
Çfarë e bën për të qeshur trajnerin?
Dodaj: Rezultatet e mira.
Qarri: Ndonjëherë qesh kur ekipi është i lodhur në stërvitje. Skuadra vijon me ritmin e dobët, pastaj bëhet me nerva.
Balaj: Pastaj i pyet lojtarët: Çfarë ke, çfarë ke?
Trajner, një kritikë dhe një kompliment për lojtarët që kemi këtu?
Brdariç: Mundohem t’i mbaj të gjithë në balancë. Kur bëjmë analizë u tregojmë lojtarëve çfarë po bëjnë më mirë, gjërat negative.
Keni pasur ndonjë rast që jeni nevrikosur me trajnerin?
Gurishta: Ka pasur, nuk duam të gënjejmë. Ndoshta në stërvitje, kur nuk jemi në formën më të mirë. Ka raste kur në fushë na flet ndonjëherë. Janë nerva momentale.
A mund të na përshkruani trajnerin tuaj?
Balaj: Trajneri punon shumë për harmoninë e grupit, problemet i diskutojmë bashkë. Pas ndeshjeve kemi biseda, kemi lirinë për të thënë çfarë duhet të përmirësojmë. Mendoj se është një motivim i madh.
Trajneri shpesh dëgjohet në stadium “Dodaj afrohu, Dodaj ec”. Pse?
Dodaj: Jam më i vogli dhe i mirëkuptoj të gjithë kur më flasin. Trajneri mundohet të më shohë mua sa më mirë, çunat s’i marr për keq.
Balaj: Është edhe pozicioni i Dodajt që luan në krah, një pjesë të lojës është afër stolit. Është më i riu, ndaj edhe i flet më shumë.
Gurishta: Ne i flasim Dodajt për të mirën e tij. Është më i riu dhe po nuk i fole e humb përqendrimin, e dimë çfarë cilësish të mira ka.
Cila është këshilla më e mirë që trajneri ju ka dhënë?
Dodaj: Gjithmonë na motivon që të vazhdojmë përpara.
Gurishta: Shumica e këshillave janë me ekipin në situatë të vështirë. Kur jemi mirë, jemi të motivuar. Na bën të jemi me kokën lart.
Balaj: Fjalia që trajneri përdor gjithmonë në dhomat e zhveshjes është “besimi të jep energji”. Kjo është si moto e tij.
Çfarë bëni kur nuk ju pëlqen vendosja në fushë, ose kur zëvendësoheni?
Balaj: Kur ka zëvendësime, lojtari që del mërzitet. Askush s’ka dëshirë të dalë nga fusha. Jemi të gjithë për një qëllim, mërzitesh me zëvendësimin, por e kupton që është në të mirë të skuadrës.
Kur fitoni, kujt i jepen më shumë merita, trajnerit apo lojtarëve?
Qarri: Besoj suksesi shkon për gjithë ekipin, nuk ka një ndarje. Çdo rol dhe çdo pozicion ka shumë rëndësi.
Balaj: Mendoj që kur humb përgjegjësinë më të madhe e merr trajneri. Kur fitohet pastaj është pak ndryshe, nis e shpërndahet ajo pjesë.
Tani do donim t’i thoni trajnerit diçka që nuk ja keni thënë më parë?
Balaj: Faleminderit për gjithçka, ja them edhe në gjermanisht. Kam mësuar pak gjermanisht në Austri dhe i flas ndonjë fjalë gjermanisht.
Brdariç: Unë do mësoj shqipen, ti Bekim përmirëso gjermanishten.
Gurishta: Të mos jetë shumë emocional.