Në Ballsh pasi kanë siguruar Superioren kanë nisur që të bëjnë edhe llogari. Ardit Peposhi është një nga lojtarët me eksperiencë dhe ata që kanë qenë edhe më parë pjesë e Bylisit. Peposhi flet për rikthimin e skuadrës, por edhe ndeshjet e mbetura dhe finalen në një prononcim që ka dhënë për “VipSport.al”.
“Një nga objektivat që vendosëm në fillim të sezonit nga presidenca u realizua me sukses, gjej rastin të falënderoj presidentin që na qëndron 24 orë afër duke u munduar të na plotësojë të gjithë kushtet, duke filluar nga trajneri mjaft profesionist duke na ndihmuar, pa harruar edhe stafin teknik dhe të gjithë lojtarët të cilët janë treguar heronj të vërtetë”.
“Këtë sezon të gjithë kemi dhënë shpirtin në fushën e lojës, megjithatë për neve akoma nuk ka mbaruar kampionati. Synojmë që edhe gjatë këtyre dy ndeshjeve të marrim maksimumin, të ruajmë ecurinë pozitive me qëllim për të përgatitur sa më mirë ndeshjen kundër Vllaznisë që luhet për trofeun si edhe për të shtuar disi të ardhura e klubit”, – tha mes të tjerash Peposhi që më parë ka luajtur edhe me Tiranën, Partizanin, Kukësin e Korabin në Superiore.
“Titullin kampion do t’ia bëjmë dhuratë presidentit dhe unë si një nga lojtarët me eksperiencë, zotohem në emër të gjithë skuadrës se do ta bëjmë krenarë edhe këtë vit presidentin dhe tërë Mallakastrën. Futbolli me sa kam vënë re është jeta e kësaj krahine, ndaj edhe e meritojnë të festojnë dhe të krenohen me Bylisin”, – tha Ardit Peposhi, një nga titullarët e Bylisit./vipsport/