Kristjan Asllani është një lojtar i Interit, që pas tri pikëve të para të zikaltërve në shkurt, klauzola e vendosur mes zikaltërve dhe Empolit në arkat e të cilit do të shkojnë 10 milionë euro për blerjen pas 4 milionë eurove për huazimin. Mesfushori ka nënshkruar në verë një kontratë pesëvjeçare dhe do të jetë i lidhur me ngjyrat zikaltër deri në 2027- ën, shenja e parë e besimit që patën drejtuesit e milanezëve që në momentin e transferimit të tij.

Jo vetëm kaq, por elbasanasi ka qenë investimi më i rëndësishëm i verës për Interin pas Romelu Lukakut, me klubin që e ka parë gjithmonë si të ardhmen e mesfushës, edhe pse të gjithë kanë qenë të vetëdijshëm se minutat në dispozicion të tij do të ishin të pakta duke marrë parasysh konkurrentët që ka përballë.

“Do të mësojë shumë nga Brozoviç”, janë shprehur njëzëri Inzagi e Marota, edhe pse ishte pikërisht dëmtimi i kroatit që ngjalli jo pak shpresa për kohën e aktivizimit të tij. Sidoqoftë, surpriza Çalhanoglu që u përshtat në perfeksion në regji, e detyroi Kristjanin të ishte sërish një alternativë jo shumë e përdorur, edhe pse sa herë që ka zbritur në fushë ka qenë një siguri për ekipin.

BROZOVIÇ – E pikërisht ajo që ka treguar Asllani është edhe një nga motivet pse Brozoviç nuk është më i pashitshëm, siç ka konfirmuar “La Gazzetta dello Sport”.

Besimi i Interit te 20-vjeçari ka ardhur gjithmonë në rritje dhe tani duan ta shohin më shumë në fushë për të pasur mundësi të kultivojnë regjisorin e së ardhmes.

Asllani ka treguar se është një student ekselent dhe me pjesën e mbetur të sezonit nën tutelën e Brozoviçit dhe Çalhanoglusë, pritet ta zgjerojë dhe më shumë horizontin e tij.

Stofi i tij prej kampioni ka dalë tashmë në pah, duhet vetëm të perfeksionohet dhe tek Interi nuk duan ta lënë një mundësi të tillë t’u shpëtojë prej duarsh.

Largimi i Brozoviçit që është edhe një ndër më të paguarit e skuadrës, shikohet si një mundësi për t’i liruar rrugën Asllanit për t’u bërë kampioni i vërtetë që të gjithë besojnë. Deri atëherë, Kristjani duhet ende të përfitojë nga profesori i tij.