Kristjan Asllani ka besim se Interi do të jetë sërish skuadra kampione e Italisë, pavarësisht se këtë vit e sheh më të vështirë sesa sezonin e kaluar.

Në konferencën pas ndeshjes me Atalantën, mesfushori i Kombëtares shqiptare tregoi sa shumë ka ndryshuar në këto tri sezone dhe sa shumë e ndihmon Çalhanoglu.

Çfarë sinjali ishte ky për kampionatin?

Ishte një fitore shumë e rëndësishme. Ne e dimë vlerën e Atalantës që luan në mënyrë të egër ndaj rivalit dhe nuk është e lehtë të dalësh nga presioni i tyre. Ishim të zotët mbi të gjitha në 30 minutat e para, pastaj thjesht administruam. Janë 3 pikë shumë të rëndësishme.

Sa e rëndësishme është që të shfrytëzoni minutat që ju jep trajneri?

Është gjithmonë e rëndësishme. Unë e di që përpara në hierarki kam lojtarë shumë të fortë dhe të rëndësishëm. Duhet të jem i zoti për t’i shfrytëzuar këto minuta, edhe kur janë 3 ose 5. Jam i bindur që do të bëj mirë sepse kam shokë fantastikë që më ndihmojnë.

Ju dhe Fratezi mund të ishit titullarë në çdo skuadër tjetër të Serisë A. Si ia del Inzagi që të punojë në mendjen tuaj?

Trajneri është i zoti që t’i bëjë të gjithë të rëndësishëm edhe gjatë stërvitjeve. Mesfusha është e fortë dhe tre lojtarët janë të jashtëzakonshëm duke prodhuar futboll.

Sa keni ndryshuar në këto 3 vite tek Interi?

Kur kam ardhur isha si një fëmijë. Doja thjesht të mësoja gjithçka. Tani di më mirë t’i menaxhoj momentet në ndeshje dhe të marr përgjegjësitë e mia. Duhet të punoj shumë sepse kam një mësues si Çalhanoglu. Jam i lumtur që stërvitem me të.

A është Interi ende “i uritur”? Ishte kjo edhe një përgjigje për Juventusin?

Ne sigurisht që jemi “të uritur” dhe e shohim në stërvitje. E dimë që objektivi është të fitojmë titullin kampion. Gjëja më e vështirë është që të përsërisim veten, por do t’ia dalim. Sot (dje) ishte një shenjë e qartë. Të vazhdojmë kështu.