Dita e shumëpritur për madrilenët erdhi. Skuadra e Zinedin Zidan është zyrtarisht kampione e La Ligës për herë të 34-t pas triumfit 2-1 ndaj Vijarealit në ndeshjen e javës së 37-të. Kujtojmë që ky trofe mungonte për Los Blancos që nga sezoni 2016-17.
Karim Benzema ishte heroi i sfidës së sotme duke realizuar dopietë në minutën e 29 dhe 77. Një titull ky i çuditshëm, për shkak të pandemisë “COVID-19”. Tifozët madrilenë do të festojnë në shtëpitë e tyre dhe me të afërmit, pa pasur mundësinë që të dalin nëpër rrugë dhe nëpër sheshe që të krijojnë grumbullime.
Barcelona humbi në shtëpi 1-2 me Osasunën. Miqtë shënuan në pjesën e parë me Jose në 15’. Kundërpërgjigja erdhi në të dytën nga Messi, që në 62’ realizon një supergol nga goditja e dënimit. I 23-i gol në La Liga, 2 më shumë se Benzema. Në fund miqtë ndëshkojnë blaugranat, edhe pse ishin me 10 lojtarë. Torres në 94 realizon për 1-2.
Atletico Madrid fiton 2-0 në transfertë ndaj Getafes dhe thuajse siguron vendin e tretë, i duhet vetëm një pikë në ndeshjen e fundit në shtëpi, teksa Sevilla u ndal në barazim 0-0 me Real Sociedad.