Real Madridi ka siguruar sot (e shtunë) matematikisht titullin kampion në elitën e futbollit spanjoll, titull ky që ishte i 36-ti në historinë e klubit.

‘Los Blancos’ bënë detyrën e tyre duke fituar me rezultat të pastër 3-0 në ‘Santiago Bernabeu’ ndaj Cadizit, me golat e shënuar nga Brahim Diaz, Jude Bellingham dhe Joselu Mato.

Barcelona në anën tjetër dështoi që të fitojë ndaj fqinjëve Gironës duke humbur me rezultat të thellë 4-2, duke ia mundësuar Real Madridit që ta festojë që sonte titullin kampion, ndonëse kanë mbetur edhe katër xhiro deri në përfundim të kampionatit.

Sidoqoftë, ky titull i fituar para së gjithash kishte një rëndësi mjaft të madhe për presidentin e klubit, Florentino Perez, i cili ka thyer tashmë një rekord historik.

Perez është bërë presidenti me më së shumti tituj të fituar në histori të klubit (34 tituj të fituar) duke tejkaluar kështu Santiago Bernabeun.

Në mesin e trofeve të fituar janë: 7 tituj të La Ligas, 3 tituj të Kupës së Mbretit, 6 tituj të Ligës së Kampionëve, 7 tituj të Superkupës së Spanjës, 5 tituj të Kupës së Botës për Klube, 5 tituj të Superkupës së Evropës dhe Intercontinental Cup.

Megjithatë, Perez dhe Real Madridi do ta kenë mundësinë ta shtojnë edhe një trofe në koleksionin e tyre të pasur, në rast se shpallen fitues të edicionit të sivjetëm të Ligës së Kampionëve.

Për të arritur në finalen e ‘Wembley’, Real Madridi duhet të mposhtë Bayern Munichun në ndeshjen që do të zhvillohet të mërkurën në ‘Santiago Bernabeu’./Telegrafi/